U tha se do të përfundonin në janar, tani Komuna e Prishtinës thotë se shkallët te Posta e Madhe do të përfundojnë në mars (FOTO)

Punimet tek shkallët e Postës së Madhe në lagjen ‘Dardania’ në kryeqytet pritej të përfundonin brenda muajit janar të këtij viti, por të njëjtat ende nuk kanë përfunduar.

“Punimet janë duke vazhduar dhe presim që projekti të përmbyllet më së largu deri në fundin e muajit janar”- kështu pati deklaruar për KALLXO.com drejtori i shërbimeve publike në komunë, Ilirik Musliu në tetor 2022 kur nisën punimet.

Në këtë pjesë është kryer puna më e madhe në shtrimin e platos, derisa ka ende punime edhe në pjesën e shkallëve e gjelbërimit.

Lidhur me gjithë procesin deri tani, Musliu potencoi se punimet do përfundojnë në fund të muajit mars, derisa shkak për vonesën, sipas tij, ishin kushtet klimatike.

“Punimet po besojmë se do të përfundohen deri në fund të muajit Mars. Arsyeja e vonesës ka të bëjë me kushtet klimatike (motin), pasi që disa materiale që duhet të përdoren, nuk përshtaten me temperaturat minus”- bëri të ditur Musliu.

Punimet për rregullimin e shkallëve të Posta kanë nisur në tetor 2022, në kuadër të projektit përfshihet edhe rregullimi i hapësirës gjelbëruese përreth.

Shkallët tek Posta e Madhe në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë ka disa vite që janë në gjendje të rëndë infrastrukturore, madje edhe të rrezikshme për të ecur në to.

Që nga periudha e pasluftës në këto shkallë nuk ishte bërë asnjë investim që do përmirësonte gjendjen e tyre.

Në po këtë zonë njëkohësisht po kryhen punimet edhe në ndërtimin e Xhamisë së Madhe.

 

 

Prishtinë, punimet në shkallët te posta e madhe pritet të zgjasin deri në janar 2023 – FOTO