Miratohet rregullorja për parkingjet në kryeqytet, për rezidentët parkimi për makinën e parë pa tarifë mujore

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar rregulloren për parkingjet në kryeqytet, ku parkimi për makinën e parë për rezidentët do të jetë pa tarife mujore por me një tarifë vjetore 10 euro, ndërsa për makinën e dytë është caktuar tarifë mujore 10 euro, e vjetore 100 euro.

Miratimi erdhi pas propozimeve që dhanë edhe asamblistë të opozitës pasi kishin kritika lidhur me çmimet dhe nenet që ishin paraparë fillimisht në rregulloren e hartuar nga komisoni i Komunës, ku parashihej parkim falas për makinën e parë për rezidentët e 300 euro në vit për makinën e dytë.

Disa nga nenet e kësaj rregulloreje që u votuan në koordinim mes LDK-së dhe partive opozitare përfshijnë:

– Ekzekutivi propozoi që për veturën e dytë të paguajë 30 euro në muaj, pas diskutimeve u zbrit në 10 euro në muaj;

– “Prishtina Parking” nuk do të punojë gjatë fundjavës;

– “Prishtina Parking” nuk do të vërë gjoba, të cilat duhet t’i vendosë Policia, si parkimi në zona të gjelbra, në trotuare; 

– Nga një orë për të paguar gjobën, sa propozoi ekzekutivi, u vendos për 8 orë kohë;

– Nuk do të ketë laura në parkingje të banorëve;

– Operatorët privatë obligohen të kenë çmime të përcaktuara; 

– Do vendosen kamera për siguri në parkingje që janë në menaxhim të “Prishtina Parking”;

-Për tri orët e para do paguhet çmimi i biletës orëshe, ndërsa vazhdimi si parkim gjatë gjithë ditës me biletë ditore;

– Lirohen nga pagesa veturat zyrtare, diplomatike, shërbime shëndetësore, emergjente, personat me aftësi të kufizuara, invalid të luftës në nivel vendi; 

– Afati kohor për qëndrim pa pagesë brenda parkingut është 10 minuta.

Rregullorja fillimisht u prezantua nga drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, i cili tha se ndryshimet janë propozuar për shkak të kërkesave dhe ankesave të shumta nga ana e qytetarëve.

“Rezidentët lirohen nga pagesa për veturën e parë të cilën e regjistrojnë për parkim. Kjo ka qenë një ndër kërkesat kryesore të qytetarëve. Problem ka qenë edhe mosdefinimi i qartë i hapësirave që kanë qenë nën menaxhim të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’, do kemi definim të saktë të hapësirave dhe do sinjalizohen”- u shpreh Dushi.

“Kemi vendosur edhe kufizime për parkingjet e hapura rezidenciale duke kufizuar mundësinë e parkimit për vizitorët në orët e pasdites, jo më herët se ora 16:00 dhe jo më vonë se 18:00”- shtoi më tej Dushi.

Sami Salihu, aksionar në këtë ndërmarrje, tha se probleme po shfaqen për banorët në orët e mbrëmjes nga qytetarë jorezidentë. “Do të zgjasim orarin e inspektimit deri në ora 23:00”.

Nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, konsideroi se pagesa për makinën e dytë nuk prek shumë qytetarë.

“Familjet në Prishtinë nuk i kanë nga dy vetura, janë 70 mijë makina lokale, derisa janë 90 mijë familje, përqindja e familjeve që kanë më shumë se një veturë është tepër e vogël, janë shtresa e pasur, le ta paguajnë parkingun. 130 mijë vetura vijnë në Prishtinë brenda ditës dhe parkohen në rrugë e trotuare tona, duhet të paguajnë sepse ne atë e kthejmë më pas në investim”- u shpreh nënkryetari Zogaj.

Kujtojmë se seanca e sotme u bojkotua nga partneri qeverisës PDK me arsyetimin se nuk po u jepet mjaftueshëm hapësirë për të “kontribuar në hartim të përbashkët të agjendës legjislative”.

PDK në kryeqytet bojkoton seancën, i thotë LDK-së se ‘nuk janë makinë votimi’