Vendimi i Gjykatës Speciale për Isni Kilajn
Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se Isni Kilajt, i është caktuar masa e paraburgimit.
Më 6 nëntor 2023, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Isni Kilaj.
Në vendimin, i cili mund të shihet këtu, ndër të tjera thuhet se gjyqtari Guillou, pasi mori në shqyrtim parashtresat e palëve, konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që është nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe se, për shkak të ikjes dhe rreziqeve të tjera, vazhdimi i masës së paraburgimit është masa më e përshtatshme ndaj të dyshuarit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me 3 nëntor 2023 ka arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, njëherësh ish-komandantin e UÇK-së, Isni Kilaj.
Arrestimi i tij është bërë në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pas arrestimit, Kilaj është dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Siç thuhej në njoftimin e DHSK-së, arrestimi ka lidhje me vepra të ndryshme penale, duke përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Të njëjtën ditë, ZPS-ja paraqiti kërkesë për vazhdimin e paraburgimit të Kilajt.
Më 4 nëntor 2023, u mbajt seanca dëgjimore, gjatë së cilës ZPS-ja dhe avokati mbrojtjës i të dyshuarit Kilaj, ndër të tjera, paraqitën parashtrime e tyre lidhur me kërkesën e paraburgimit nga ZPS-ja.