Seanca gjyqësore në rastin 'Toka 3' (07.11.2022), Foto: KALLXO.com

Ky është vendimi i Apelit për 16 të akuzuarit në rastin ‘Toka 3’

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin ‘Toka 3’ ku Baki Abdullahu dhe 15 të tjerë akuzoheshin për shpëlarje të parave dhe vepra të tjera penale.

Sipas vendimit të siguruar nga Kallxo.com, kolegji i Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimin lirues të gjykatës së shkallës së parë e ka vërtetuar.

Ky vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Ferit Osmani kryetar i kolegjit, Bashkim Hyseni dhe Afërdita Bytyçi – anëtarë.

Baki Abdullahu dhe 15 të tjerë, më datën 7 nëntor 2022 ishin liruar nga akuza për shpëlarje të parave dhe vepra të tjera penale që u viheshin në barrë.

Gjykata e Prishtinës ata i kishte liruar me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme që të njëjtit kishin kryer këto vepra.

Gjykata, po ashtu kishte anuluar pjesërisht urdhëresën për sekuestrimin e përkohshëm të paluajtshmërive.

Çka thoshte aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të vitit 2016, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Arsim Hasani, Valdet Shaqiri, Skënder Potera, Muharrem Kadriu, Xhevahir Begolli, Nadir Shantiri, Sali Bivolaku, Idriz Buzës, Samir Haxhimusaj, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj, ngarkoheshin për veprën panele shpëlarje e parave si dhe veprën penale në bashkim dhe në vazhdim.

Të pandehurit këto veprime akuzoheshin se i kishin bërë duke e ditur që parcelat e tokës janë fitim i krijuar me aktivitete kriminale dhe pronësia e këtyre pronave ishte transferuar tek persona me entitet serb.

Prokuroria Speciale pretendonte se pronat kanë qenë në kontroll të këtij grupi të organizuar kriminal të përshkruar si në 19 pikat e aktakuzës.

Të njëjtit në bashkëpunim me të paraqiturit si përfaqësues të shitësit të parcelave dhe me vet blerësit që janë vet ata, kanë transferuar pronat me qëllim të fshehjes të natyrës, burimit, lëvizjes dhe pronësisë së tokës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Baki Abdullahu në maj të vitit 2006 ka përvetësuar dy parcela të tokës në Llapnasellë nga Edvard Gashi, me çmime artificialisht të ulëta 82 mijë euro apo 20 euro për metër katror.

Haki Hyseni në tetor të vitit 2006 kishte transferuar parcelat e tokës në Llapnasellë nga Haki Abdullahu me çmim të njëjtë sikur Abdullahu. Kurse Arsim Hasani në shtator të vitit 2006 ka përvetësuar parcelën nga Fahredin Gashi me çmim artificialisht të ulët.

Ndërsa Valdet Shaqiri në korrik të vitit 2007 ka përvetësuar parcelën në Llapnasellë nga Shaban Syla me çmim të ulët prej rreth 127 mijë euro e në tetor të po atij viti ka transferuar parcelën e njëjtë te Skender Potera.

Sipas aktakuzës, Skender Potera ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Valdet Shaqiri. Kurse Muharrem Kadriu më 11 shtator 2007 ka përvetësuar tokën nga Shaban Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit të Kruna Blagojevcit.

Edhe Xhevahir Begolli në po të njëjtit vit ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Shaban Syla e në mars të vitit 2008 të njëjtën parcelë e ka transferuar tek Nadri Shantir.

Në këtë aktakuzë është i akuzuar edhe Sali Bivolaku, i cili në korrik të vitit 2012 sipas prokurorisë përmes përfaqësuesit të tij Avni Maxhuni ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Shqipe Maxhuni me çmim të ulët.

Idriz Buza thuhet se në gusht të vitit 2012 ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Elhame Uka.

Sipas prokurorisë, njëjtë kanë vepruar edhe të akuzuarit e tjerë Samir Haxhimusaj, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj.

Në mesin e të akuzuarve ishte edhe Sami Haxhimusaj për të cilin ishte veçuar procedura penale.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast – kliko në LINK