Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komuna e Prishtinës nuk pret formimin e bordit të OSHP-së, procedon kontratën për ndërtim të tri shkollave
Komuna e Prishtinës ka filluar ekzekutimin e kontratës për projektin e ndërtimit të tri shkollave, përkundër faktit që ky tender është në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) pas një ankese të një operatori ekonomik.
Ky projekt i nënshkruar në fillim të vitit, është zvarritur që nga muaji prill, pasi OSHP nuk ka bord për shqyrtim të ankesave.
Zekë Bardhaj nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se është në dijeni që kanë nisur procedurat për këtë projekt.
Ai shtoi se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për trajtim të ankesës nga OSHP.
“Jam në dijeni që kanë nisur procedurat për këtë projekt, siç e dini kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për trajtim të ankesës në OSHP dhe kjo është nënkuptuar si pranim në heshtje nga ana e Komunës”, ka thënë Bardhaj.
Kurse, Osman Vishaj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit, deklaroi se shumë autoritete kontraktuese kanë filluar të bëjnë një gjë të tillë.
“Shumë autoritete kontraktuese janë duke e bërë një gjë të tillë. Siç dihet, ekziston një afat ligjor për trajtim të ankesave, brenda 30-40 ditësh dhe kur një gjë e tillë nuk bëhet, autoritetet kontraktuese e konsiderojnë si pranim në heshtje”, ka thënë Vishaj.
Edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një debat televiziv ka deklaruar se e kanë njoftuar OSHP-në që nuk do t’i presin më gjatë për formim të bordit dhe do procedojnë tutje me projektin për ndërtimin e shkollave.
Projekti për ndërtimin e tri shkollave ka kosto deri në 10 milionë e 300 mijë euro dhe do kryhet me Partneritet Publiko Privat.
Sipas Komunës, këto shkolla janë dizajnuar nga një kompani italiane dhe do jenë të standardit më të lartë në kryeqytet.
Punët për ndërtimin e këtyre shkollave pritet të nisin gjatë vitit të ardhshëm.
KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit lidhur me këtë çështje, por nuk është dhënë ndonjë përgjigje nga ta deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.