Muja: OShP-ja ka tentuar që ta legalizojë kontrabandën e barnave në Kosovë

Në mbledhjen Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë vazhduar edhe sot akuzat e pushtetit ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), në lidhje me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Edhe pse pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i propozimit të Qeverisë që Kuvendi ta shkarkojë anëtaren e Bordit të OSHP-së, Kimete Gashin, pikërisht për tenderin e insulinave, debati në komision u zhvillua në atë formë që Bordi merrej në pyetje nga anëtarët e Komisionit, duke u pyetur për procedurat e vendimmarrjes së bordit rreth ankesave.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja i cili është kryetar i Komisionit, pyeti OShP-në në lidhje me një tjetër tender të vitit 2019, për insulinat. Ai pretendoi se OSHP në vitin 2019 dhe 2021 ka marrë dy vendime të ndryshme, në lidhje me çështjen e njëjtë.

Muja akuzoi OShP-në “se kanë tentuar që ta legalizojnë kontrabandën e barnave në Kosovë”.

“Jeni plotësisht në kontradiktë. Eksperti i atëhershmit po thotë në bazë të Ligjit për Pajisje Medicinale nuk guxon me i dhënë dikuj tender pa autorizim marketing, eksperti yt tash po thot mundet. Bordi i mëhershëm ka thënë që nuk bën, bordi yt tash po thotë që bon. Cili e keni pasur mirë, se diçka jeni dallash po më duket. Për vendimin e njejtë specifikisht” – tha deputeti Muja.

Ndërsa anëtarja e Bordit, Kimete Gashi, ia ktheu duke thënë se nuk mendon se duhet të diskutohet për vitin 2019. Ajo tha se në atë kohë ka qenë tjetër bord dhe specifikat nuk kanë mundur të jenë të njëjta.

“Unë mendoj që nuk kemi pse me fillu me u përgjigj për vitin 2019, nëse kemi veç pak përvojë pune e dimë se çdo rast është specifik në vete. Domethënë edhe te na kur të vijnë, mundet me qenë në mënyrë analoge, varësisht prej pretendimeve që janë të paraqitura qato i trajtojmë. Këtë rast është formulu dosja e tenderit që e ka leju edhe Udhëzminin Administrativ edhe Autorizim Marketingu” – tha Gashi.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës kundërshtuan mënyrën e rrjedhës së debatit në Komision.

Avdullah Hoti nga LDK tha se ky Komision nuk ka punë me OSHP-në.

“Ne jemi duke e shqyrtu një vendim të Qeverisë për ta procedu në Kuvend për votim. Ne nuk kemi punë me këta, unë nuk besojë që ky diskutim e ka vendin këtu” – tha Hoti.

Tutje, deputeti Armend Muja tha se njëra nga kompanitë që ka marrë pjesë në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë, ka lidhje me deputetin Ferat Shala.

Sipas Mujës, njëri nga ortakët e kompanisë është ortak me një kompani tjetër me djalin e Ferat Shalës.

“..është ortak i Ermal Shala, i cili është djali i deputetit Ferat Shala. A ka ndërhy deputeti Ferat Shala në këtë vendimmarrje” – pretendoi Muja.

Ndërsa kryetarja e Bordit të OSHP, Vjosa Gradinja u përgjigj duke thënë se vendimmarrja e tyre bazohet në prova.

“Ne vendimmarrjen e bazojmë veq në prova dhe në argumente që i kemi brenda. Asnjëherë në asnjë moment, as pozita e as opozita nuk kanë tentuar edhe nuk i lejojmë me tentu me ndiku”.

Deklaratës së Mujës iu përgjigj vetë Ferat Shala.

“Mu më vjen keq me ra në tënd dhe me tu përgjigj ty, ti e di se qysh mundem përgjigj, saktë e dinë. Sinqerisht i kërkoj falje edhe mediave që mu po më duhet me ra në nivelin e Armend Mujës” – tha ndër të tjera Shala.

Mbledhja e Komisionit përfundoi pa ndonjë epilog në lidhje me propozimin e Qeverisë, ndërsa deputetët e opozitës kërkuan që në mbledhjen e radhës të ftohet për raportim edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Mbrëmë në emisionin KallxoPërnime është transmetuar debati në lidhje me tenderin për insulina të Ministrisë së Shëndetësisë, që ka mbetur i bllokuar që nga viti 2020. Pjesë e këtij debati ishin Fisnik Salihu avokat i kompanisë ‘Meditech’, Qendrim Arifaj avokat i ‘Pharma Leader’, kompani që kanë marrë pjesë në tender, si dhe eksperti shqyrtues i OSHP, Agim Sheqiri, i cili po ashtu ka dhënë ekspertizën e tij në lidhje me pretendimet e kompanive.

Ballafaqimi i avokatëve për tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina