Inspekcioni
Inspektorët e Përparim Ramës ndalojnë kamionët në hyrje të Prishtinës dhe i gjobisin për mosrespektim të orarit - VIDEO
Inspekcioni i kryeqytetit në bashkëpunim me policinë shqiptuan gjoba ndaj transportueseve të mallrave të cilët nuk respektuan vendimin e komunës të marr në dhjetor 2022 për orar të furnizimit.
Ekipe të Inspekcionit e policisë dolën me aksion në disa pika të qyetit si ‘New Born’, ‘Dardani’, e ‘Rrethi me Flamur’ ku shqiptuan gjoba deri 100 euro për të gjithë ata furnitorë që nuk respektuan vendimin.
Drejtori i Inspekcionit në komunë Florian Dushi bëri të ditur se ky aksion do vazhdojë gjatë tërë javës.
“Janë katër pika në kryeqytet ku kemi ekipet tona nën asistim edhe të policisë jemi duke bërë kontrollet nëse po respektohet vendimi i kryetarit sipas të cilit janë përcaktuar oraret të cilin transportuesit e mallrave duhet ta respektojnë për të hyrë në brendi të qytetit. Duke iu referuar ligjit të transportit, fillimisht jemi duke shqiptuar gjoba rreth 100 euro për secilin që nuk respekton këtë vendim, por në ndërkohë nëse do të vazhdojë me mosrespektim të këtij vendimi, do ndryshojë”-bëri të ditur Dushi.
Inspektorët komunal dhe policia ndalën furnizues nga ato me mallra të vogla deri tek ato të ndërtimit.
Derisa, lidhur me këtë aksion, komuna kishte njoftuar disa ditë më herët.
“Inspektorati i Kryeqytetit nga data 23 tetor 2023 do të fillojë inspektimet e rregullta në terren për të parë nëse është duke u respektuar Vendimi i Kryetarit të Kryeqytetit, z.Përparim Rama, sipas të cilit rregullohet/kufizohet orari i qarkullimit të mjeteve transportuese të mallrave – furnitorëve në kryeqytet”- thuhej në njofttim.
Ky reagim i komunës erdhi pas ankesave të qytetarëve për ngarkesat që shkaktojnë furnitorët
“Kryetari i Kryeqytetit, por edhe Inspektorati në kryeqytet, gjatë kësaj periudhe ka pranuar numër të madh të ankesave nga shumë qytetarë të Prishtinës mbi vështirësitë por edhe problemet e shumta që transportuesit e mallrave – furnitorët janë duke shkaktuar në zona të ndryshme në kryeqytet gjatë qarkullimit të tyre por edhe gjatë parkimit dhe zbrazjes së mallrave në destinacionet përkatëse”- theksohet tutje në njoftim të Inspektoratit të komunës.
Jashtë kamerës, punëtorët që po kryenin furnizime të ndryshme deklaruan se nuk kanë qenë në dijeni për këtë aksion dhe për rregulloren.
Në dhjetor të vitit 2022 kryetari i kryeqytetit Përparim Rama kishte marr vendim për caktim orari për furnitorët si masë për lehtësim të trafikut.
Qarkullimi i të gjithë transportuesve të mallrave në kryeqytet, sipas Vendimit të Kryetarit, lejohet sipas këtij orari, në:
Zonën e I-rë, që përfshinë pjesën qëndrore të kryeqytetit, nga ora 19:00 deri të nesërmën në orën 07:00 në mëngjës;
Zonën e II-të, që përfshin pjesën përtej qendrës së kryeqytetit, nga ora 18:00 deri të nesërmën në orën 07:00 në mëngjes.
Bulevard/Sheshi i Kryeqytetit, nga ora 23:00 deri të nesërmën në 07:00 në mëngjes, për mjetet deri në 3.5 t.