Fushë Kosova do bëhet me ngrohje qendrore, në 2024 nisin procedurat

Komuna e Fushë Kosovës në vitin 2024 planifikon të nis procedurat për projektin e ngrohjes qendrore/koogjenerimit.

Në buxhetin për vitin e ardhshëm komuna ka alokuar 100 mijë euro për këtë projekt.

Drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe shefi i planifikimit të buxhetit, Bardhyl Koçiçi tha për KALLXO.com se vitin e ardhshëm do nis studimi i fizibilitetit.

“Kjo shumë e mjeteve është ndarë për Studimin e fizibilitetit për ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore (sistemit të koogjenerimit)” – deklaroi ai.

Koçiçi tutje theksoi se shtrirja e rrjetit do jetë në vitet në vazhdim nga 2025 e tutje.

Fushë Kosova është ndër komunat me rritjen më të madhe të popullsisë gjatë viteve të fundit.

Sistemet e Ngrohjes Qendrore në Kosovë janë të kufizuara në vetëm katër komuna (Prishtina, Gjakova, Mitrovica dhe Zveçani), që përbëjnë 3 deri në 5% në ngrohjen e hapësirave.

Aktualisht në funksion është ngrohja qendrore në Prishtinë dhe ngrohtorja me biomasë në Gjakovë.

Qytetet tjera, si Peja, Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani nuk kanë sisteme të ngrohjes qendrore, përkundër zonave të tyre të mëdha të urbanizuara nga ndërtesa kolektive të banimit.

Në vitin 2022 Komuna e Obiliqit po ashtu nisi procedurat për ngrohje qendrore, Ngrohtorja qendrore në Obiliq do të funksionojë me avull nga termocentrali “Kosova B” kurse ende nuk dihet se çfarë kapacitetesh do të ketë.

Shtrirjen më të madhe të rrjetit të ngrohjes qendrore e ka ndërmarrja e Prishtinës ‘Termokos’ që është e organizuar në këto rajone: Qendra, Ulpiana (përfshin edhe njësinë e QKUK-së), Dardania, Kodra e diellit, Kalabria (pjesërisht), Mati dhe Arbëria, derisa shtrirje është duke u bërë edhe në zonën e Aktashit dhe Arbërisë.

Derisa, me anë të një vendimi të miratuar në Kuvendin Komunal më 2 nëntor 2023, Termokos u subvencionua me 5 milionë euro për zgjerim të rrjetit në disa zona të kryeqytetit.

Kjo ndërmarrje synon të zgjeroj kapacitetin e ngrohjes edhe në lagjet periferike përmes projektit për ngrohje me anë të paneleve solare, ku tashmë është nënshkruar kredi mbi 80 milionë euro.