Përurohet ngrohtorja e parë me biomasë në Kosovë

Sot në Gjakovë është inauguruar ngrohtorja e parë me biomasë në Kosovë dhe Rajon.

Ky projekt është financuar më 15 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe është njëri ndër projektet më të mëdha në Kosovë i financuar nga Bashkimi Evropian për 40 për qind të qytetarëve të Gjakovës.

Ambasadori i BE në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se kjo ngrohtore do të ndihmojë në mbrojtjen e cilësisë së ajrit po ashtu edhe do të ndikojë të ekonomitë familjare.

Ky është njëri nga projektet tona më të mëdha në Kosovë, me ndikim të madh në jetën e njerëzve që jetojnë në këtë zonë. Rreth 40% e qytetarëve në Gjakovë do të përfitojnë nga ngrohja me cilësi të lartë dhe nga ngrohja me ndotje më të ulët. Ky është impianti i parë në Kosovë me teknologji tejet efikase, të bazuar në biomasë. Teknologjia e re ka zëvendësuar impiantin e vjetër me kaldaja me mazut, të cilët jo vetëm që ishin shumë të kushtueshme për të operuar, por edhe shumë ndotëse”, tha Szunyog.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo do të ndikojë në ekonomitë familjare si dhe në kursimin e energjisë e po ashtu edhe në dekarbonizim.

“Shpresojmë që kjo ndërmarrje të mos ketë nevojë për ndihmën e ministrisë për të funksionuar dhe të jetë shembull për komunat e tjera. Ne veçse kemi filluar studimet e fizibilitetit për ngrohtore qendrore edhe për gjashtë komuna të tjera”, tha Rizvanolli.