Brenda dy viteve Obiliqi pritet të bëhet me ngrohje qendrore, do ta përdorë avullin e "Kosovës B"

Brenda dy viteve, Komuna e Obiliqit pritet të bëhet me ngrohje qendrore. Kjo komunë veçse ka filluar procedurat për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore, i cili pritet t’i kushtojë 13 milionë euro.

Komuna ka thënë se faza e parë pritet t’i kushtojë komunës 13 milionë euro, por që pritet të ketë lëvizje të kësaj shume për shkak të rritjes së çmimeve në bursë.

Ngrohtorja qendrore në Obiliq do të funksionojë me avull nga termocentrali “Kosova B” kurse ende nuk dihet se çfarë kapacitetesh do të ketë.

Komuna ka bërë të ditur se objekti i ngrohjes është në përfundim.

“Po, tashmë është ne përfundim objekti i ngrohjes qendrore për Obiliq, këtë vit 2022 dhe 2023 është planifikuar edhe shtrirja e rrjetit në qytet”- thuhet më tej në përgjigjen e Komunës së Obiliqit.

Komuna e Obiliqit është përfituese në projektin e Bashkimit Evropian për asistencë teknike në vlerë prej 2 milionë euro, i cili filloi në tetor 2021 për të mbështetur përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohjen Qendrore, bazuar në energjinë e rinovueshme në tetë komuna të Kosovës: Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Drenas, Obiliq, Mitrovicë dhe Zveçan – duke përfshirë analizat e përfitimit të kostos dhe një raport të vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social.

Kostot totale të projektit për “Sistemet e Ngrohjes Qendrore në Kosovë” vlerësohen të jenë më shumë se 160 milionë euro.

Burimet kryesore të financimit pritet të jenë huatë nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  (BERZH). Kontributet kombëtare dhe grantet teknike dhe investuese nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) pritet të përfshihen me fondet e huasë.

Sistemet e Ngrohjes Qendrore në Kosovë janë të kufizuara në vetëm katër komuna (Prishtina, Gjakova, Mitrovica dhe Zveçani), që përbëjnë 3 deri në 5% në ngrohjen e hapësirave.

Aktualisht në funksion është ngrohja qendrore në Prishtinë dhe ngrohtorja me biomasë në Gjakovë. Qytetet tjera, si Peja, Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani nuk kanë sisteme të ngrohjes qendrore, përkundër zonave të tyre të mëdha të urbanizuara nga ndërtesa kolektive të banimit.

Bashkimi Evropian në njoftimin për këtë projekt kishte thënë se Obiliqi dhe Drenasi janë në zona të favorshme duke pasur parasysh se e para është afër termocentralit “Kosova B” dhe mund të lidhet me sistemin e koogjenerimit, dhe e dyta është afër fabrikës së shkrirjes “Feronikel”, e cila harxhon energji termike, që del nga procesi teknologjik i shkrirjes.