Euro, foto: Pixabay

Huqjet rreth pagës minimale

Shkruar nga Egzona Mema

Paga minimale është prej temave më të debatuara në Kosovë gjatë këtij viti pas iniciativës së qeverisë për të dyfishuar atë.

Në kuadër të diskursit janë thënë edhe shumë gjysmë të vërteta dhe janë publikuar tituj që kanë keq informuar qytetarët. Kjo ka bërë që shumë qytetarë, sidomos ata që i lexojnë vetëm titujt, të mendojnë që tashmë në Kosovë nuk do të ketë pagë më të ultë se 264 euro.

Në mbledhjen e 69-të të Qeverisë së Kosovës , mbajtur me 13 prill, ku u miratuan 18 vendime në  mesin e të cilave ishte edhe Projektligji që i hap rrugë rritjes së  pagës minimale.

…“- Rritëm pagën minimale për të gjithë në 264 euro, nga 130 euro e 170 euro sa ishte. Pra, po e rrisim për 103% pagën minimale për punonjësit nën 35 vjeç, e për 55% për ata deri në 65 vjeç” – shkroi Kurti në një postim në rrjetin social Facebook.

Projektligji i miratuar në Qeveri e cakton pagën minimale në vlerë prej 264 euro bruto ose 250 euro neto.

Pas aprovimit të bërë në Qeveri, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar Projektligjin për pagën minimale në Kuvendin e Kosovës .

“Po hapet rrugë, që pas 11 viteve të rritet paga minimale. Projektligji ka për qëllim që të eliminojë dykuptimësinë që të lëvizim tutje për pagën minimale. Deri në nivelin 250 euro, nuk do të ketë tatim. Ky projektligj e plotëson procedurën se si vije deri në pagën minimale në momentin kur kemi ngërçe në Këshillin Ekonomik Social. Me miratimin e këtij Ligji hapet edhe rruga për rritjen e pagës minimale”, u shpreh Murati.

Shumë prej mediave, vendimin e qeverisë për të miratuar projektligjin për pagën minimale që parasheh rritjen e saj në 264 euro e kanë interpretuar si vendim që tashmë është në zbatim. Por, kjo nuk qëndron, pasi për tu rritur paga minimale duhet pritur miratimin nga Kuvendi dhe dritën e gjelbër nga Presidentja, Vjosa Osmani.

Përkundër që kanë kaluar 2 muaj, Ligji për Pagën minimale ende nuk është në fuqi.

Portalet në fjalë kanë bërë “lojë fjalësh” vetëm në titull duke tërhequr vëmendjen e lexuesit.

Nëse hyni në lajm atëherë teksti informon për procedurën e miratimit të Projektligjit të pagës minimale në Qeverinë e Kosovës por, në asnjë pjesë nuk tregohet se ky ligj duhet të aprovohet edhe në Kuvendin e Kosovës. “Në Kosovë paga minimale bëhet 250 euro neto”, apo “Paga minimale në Kosovë bëhet 250 euro neto”, ishin vetëm disa nga titujt e shkruar nga portalet.

Titujt e publikuar e bëjnë gjë të përfunduar pagën minimale e që në realitet nuk është, pasi rruga për miratimin e këtij ligji ndjek këta hapa: pas sponzorizimit nga Qeveria, ligji shkon në komisionin përkatës, në këtë rast në komisionin për Politikë e Financa, pastaj vazhdon në kryesinë e Kuvendit ku miratohet rendi I ditës për Seancën Plenare të radhës.

Ligji shkon në lexim të parë ku edhe votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nëse mblidhen votat e duhura, ligji shkon në lexim të dytë ku edhe miratohet nga Kuvendi I Kosovës, e më pas të cilin ligj e ratifikon Presidenti I vendit.

Pas afatit prej 14 ditësh  ligji zbatohet dhe shpallet në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.

Por, nuk ishte ky keqinformimi i vetëm që është bërë rreth kësaj teme. Një tjetër huqje ka të bëjë me nivelin e pagës aktuale minimale që shumë media thonë se është 170 euro.

Në fakt, Kosova aktualisht ka pagë dy-shkallëshe minimale. Personat deri në moshën 35 vjec mund të kenë pagë minimale prej 135 euro në muaj, kurse ata mbi 35 vjec pagën më të ultë që mund ta marrin është 170 euro. Kosova tash e 11 vite nuk ka bërë asnjë ndryshim në pagën minimale edhe pse premtimet nga të parët e shtetit ishin të shumta. Mos-ndryshimi i pagës minimale ka ardh edhe për faktin që pensioni i veteranëve ka qenë e lidhur me pagën minimale. Është bërë një tentativë për të ndarë në vitin 2017, mirëpo kishte dështuar kategorizimi i veteranëve prandaj ata vazhdojnë t’i marrin 170 pension.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fushatës së tij zgjedhore në shkurt të vitit 2021, në “DebatPernime” kishte premtuar se paga minimale do të rritet në 250 euro.

“Paga minimale do të rritet në 250 euro, kjo është e realizueshme”, kishte thënë ai gjatë emisionit.

Deputetet e Kuvendit e kanë kundërshtuar pagën e propozuar minimale, kryesisht edhe për faktin se projekt-ligji për pagën minimale e ndan prej pensionit të veteranëve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka deklaruar se nuk do ta votojnë projektligjin për pagën minimale.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se projektligji shkel disa kategori të ndjeshme siç janë veteranët, teksa ka shtuar se rritja e pagës minimale duhet të bëhet me dialog social.

“E dimë që Kurti ka premtuar që paga minimale të jetë jo më e vogël se 350 euro në 2019, ne e kemi parë që në këtë propozim, paga do të jetë 250 që është një shkelje tjetër e tij. Po mundohen që kategoritë më të ndjeshme që kanë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës po shkelen dhe po degradohen duke u larguar me këtë ligj, siç janë veteranët, të verbrit, tetraplegjikët dhe paraplegjikët. Ne si parti nuk do të votojmë dhe do të jemi kundër në këtë formë”, ka thënë Lushtaku.

Tjetër deputet që u shpreh kundër ishte edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ku ka thënë se me projektligjin për pagën minimale targetohet vetëm një pjesë qytetarëve, atyre që janë të punësuar në sektorin privat.

“Kur vendoset paga minimale vendoset për të ruajtur standardin minimal të jetës ndaj një kategorie të qytetarëve. Ata janë të punësuarit privat apo publik që marrin paga të ulëta dhe kategoritë e caktuara të shoqërisë që të ardhurat e tyre lidhen me pagën minimale. Me mënyrën se si e keni shkruar këtë ligj, ju e targetoni vetëm një pjesë të vogël të tyre që janë në sektorin privat e që marrin rrogë më të vogël se 250 euro”, ka thënë Hoti.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se kjo parti është kundër nenit të projektligjit për pagën minimale, i cili parasheh heqjen e veteranëve nga rritja e pensionit të tyre.

“Projektligji që e keni sjell ju parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre. Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim por e kanë burim të ekzistencës dhe nëse e marrin këtë nuk mund të punojnë që është edhe kjo si diskriminim. Kërkojmë që ky nen të largohet në mënyrë që pensionet të jenë në vij me pagën minimale. Përndryshe ne jemi kundër dhe nuk do ta votojmë deri sa të largohet”, ka thënë Bekë Berisha.

Reagim erdhi edhe nga  Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Ai ka thënë se paga minimale duhet të jetë 370 euro neto.

“Paga minimale duhet të jetë 370 euro neto, që nënkupton 400 euro bruto. Vendimi i sotëm është edhe një pazotësi e qeverisë me ju përgjigje gjendjes së rendë në vend. Në fakt, vlerësimet e fundit tregojnë se 250 euro vetëm sa ka arritur paga në shumë veprimtari të sektorit privat”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Pakënaqësi kanë shprehur edhe Veteranët e Republikës së Kosovës, palë kjo e cila nuk preket nga ligji për rritje të pagës minimale.

Edhe nga Sindikatat ka ardhur reagim I ashpër për vendimin e Qeverisë rreth shumës së pagës minimale.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi ka thënë gjatë një konference për media se sindikalistët e sektorit privat nuk do të pajtohen me një pagë minimale nën 400 euro.

Azemi ka thënë se SPSPK-ja nuk është pjesë e Këshillit Ekonomik Social.

“Për ndryshme ne nuk do të pajtohemi dhe nuk do t ‘i njohim as një vendim që paga minimale të jetë nën 400 euro. Vetëm SPSPK është e thirrur për të biseduar për pagën minimale”, ka thënë Azemi.

Nga ana tjetër me reagim dolën edhe nga BSPK-ja.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka reaguar duke thënë se vlera e pagës minimale është vlerë që llogaritet dhe nuk është punë dëshirash

“KES-i përbëhet prej 15 anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e Organizatave të punësuarve, Organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë, dhe pos të tjerash përkujdeset edhe për propozimin e pagës minimale pasi që e ka në mandatin e vet, dhe nga KES-i nuk ka dalë paga minimale pasi që nuk ka marrë votat e duhura”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Duke marrë parasysh se ky ligj ndikon në mirëqenien e qytetarëve te Republikës së Kosovës, pritet të rikthehet prap në Kuvend për miratim.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.