Kurti paralajmëron masa pas rritjes së çmimeve: Inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa për marketet që sipas tij, po rrisin artificialisht çmimin e vajit dhe të produkteve në përgjithësi.

Pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, Kurti tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.

“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë për 1 litër vaj ndoshta do të ishte rastësi, por është 3 euro e 49 cent dhe kjo është fryrje artificiale e çmimit. Në Kosovë aktualisht është çmimi më i lartë i vajit në botë. Kjo fryerje duhet të ç’fryhet. Padyshim që do të marrim masa, inspektorët janë duke i dokumentuar të gjitha shkeljet, mirëpo unë nuk udhëhiqem nga ideja e ndëshkimit, jam i udhëhequr nga parandalimi i dëmit që tashmë po shkaktohet”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai tha se në këtë fabrikë në Gjilan, aktualisht janë 300 mijë litra vaj të papërpunuar. Sipas Kurtit, kur të përpunohet kjo sasi, do të mjaftojë për konsum edhe për rreth 1 muaj.

“Pra është lajm për të gjithë qytetarët e Republikës, që tashmë kemi vaj të papërpunuar, që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth 1 muaj”, tha Kurti.

Kryeministri po ashtu tha se do të angazhohen si qeveri bashkë me shtetet mike, që të gjejnë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar, që të përpunohet dhe të mos ketë mungesa.

Kurti tha se kërkesa është artificiale.

“Aktualisht kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi. Nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë dhe ajo që po bëhet si shitje. Është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursa ndërkombëtare, i cili po i afrohet 3000 dollarë për 1 ton. Sidoqoftë në Kosovë kemi edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar”, deklaroi Kurti.