09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg

Paralajmërimet e vazhdueshme për rritjen e çmimit të produkteve esenciale kanë përhapur panik në mesin e qytetarëve.

Rafte të zbrazura nga produktet esenciale dhe radhë të gjata të qytetarëve për të blerë këto produkte ka qenë pamja e cila është shfaqur më së shumti gjatë 24 orëve të fundit.

Mirëpo paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve është vepër penale.

Këtë e ka përcaktuar ligjvënësi në Kodin Penal kur e ka paraparë se kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve shpall rrejshëm se pritet rritja e çmimit të mallit është vepër penale dhe si e tillë është e dënueshme deri në 1 vit burgim.

 

Pra, është paragrafi dy i nenit 293, i cili ka përcaktuar se shpallja e rrejshme për rritjen e çmimeve të mallit dënohet deri në 1 vit burgim.

Gjatë këtyre dy ditëve çmimet e disa produkteve esenciale janë rritur dukshëm. Çmimi i vajit të lulediellit ka shkuar deri në 3.50 euro për dallim nga dy ditë më parë kur çmimi i këtyre produkteve shkonte deri në 1.70 euro.

Paralajmërimet e tilla  kanë bërë që kërkesa e qytetareve për këto produkte të rritet në masë të madhe dhe rrjedhimisht çmimi i tyre të arrijë në 3.50 euro në 24 orët e fundit.

Pas rritjes enorme të çmimeve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar masa për të gjitha marketet që po rrisin në mënyrë artificiale.

Ai këto deklarata i bëri pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, ku tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.

“Po të ishte çmimi 3.50 euro për një litër vaj ndoshta do të ishte rastësi, por është 3 euro e 49 centë dhe kjo është fryrje artificiale e çmimit. Në Kosovë aktualisht është çmimi më i lartë i vajit në botë. Kjo fryerje duhet të ç’fryhet. Padyshim që do të marrim masa, inspektorët janë duke i dokumentuar të gjitha shkeljet, mirëpo unë nuk udhëhiqem nga ideja e ndëshkimit, jam i udhëhequr nga parandalimi i dëmit që tashmë po shkaktohet”, tha Kurti para gazetarëve.