Kompletohet legjislatura për pensionet e mësimdhënësve të 90-tave

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të viteve ’90-ta.

Bytyqi përmes një postimi në Facebook tha se mësimdhënësit e asaj kohe parandaluan zhbërjen kulturore.

“Jam shumë i lumtur që sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që punuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 98/99, si dhe Udhëzimin Administrativ për pronarët e shtëpive shkolla dhe objektet tjera të lëshuar për arsimin shqip gjatë viteve 1990/99”, ka shkruar ai.

Ministri theksoi se me hyrjen në fuqi të këtyre dy udhëzimeve, do të zbatohet Ligji për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ligj ky që është miratuar gjatë mandatin tim si ministër i Arsimit.

“Punonjësit e arsimit dhe kryefamiljarët që lëshuan objektet për shtëpi-shkolla gjatë periudhës 1990-1999, do të mbeten përherë pjesë e historisë më të lavdishme të popullit shqiptar”, ka shtuar ai.

Ligji për statusin e punëtorëve të mësimdhënësve të viteve 90-ta ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës me 28 shkurt të këtij viti.

Ky ligj kishte sjellur edhe reagime nga ana e ndërkombëtarëve. BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën deklaruar se ky ligj ka implikime buxhetore.

Në fillim përfituesit ishin ndarë në dy kategori: 5 dhe 10 vite, por pas miratimit të leximit të parë në Kuvend, komisioni për Arsim kishte vendosur që ta ndajë në 9 kategori.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdim në lidhje me këtë çështje dhe mund t’i lexoni në këtë link.