Thyerja e etiketës diplomatike nga Ukraina, çka duhet të mësojë Kosova nga kjo?

Historiani dhe eksperti i Rusisë, Mark Galeotti, në një interviste në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për thyerjen e etiketës diplomatike të Ukrainës gjatë kohëve të fundit sa ky vend është duke luftuar ushtrinë ruse.

Galeotti si shembull të thyerjes së etiketës (mirësjelljes) diplomatike nga ky vend e mori rastin e Ukrainës me Gjermaninë, më saktë me dy homologët e këtyre vendeve, dy presidentët.

Sipas tij, thyerja e etiketës diplomatike në Ukrainë u bë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha publikisht se presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeir, nuk ishte i mirëpritur në Ukrainë sepse Gjermania nuk po e mbështeste siç duhet Ukrainën.

“Këto janë gjëra të cilat, si dikush që kam punuar një kohë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ishte kjo pikërisht një sjellje të cilën diplomatët profesionistë e shohin si diçka të tmerrshme për ta bërë, por qe, nganjëherë, të qenët jodiplomatik funksionon” – tha Galeotti.

Ky i fundit tha se Zelensky mund ta bëjë këtë, e para për shkak të statusit aktual të Ukrainës, por edhe sepse ai është shumë i mirë në atë punë që po e bën, pra në mënyrën se si po e udhëheq Ukrainën.

Galeotti tha se kritikët më të mëdhenj të Zelenskyt para luftës thoshin që ai nuk ka ‘kurriz’ për ta përballuar krizën me Rusinë. Por, sipas historianit të Rusisë, për këta u vërtetua që e kanë pasur gabim.

“Megjithatë, ajo që ai bën është që tregon në të vërtetë se liderët dhe vendet duhet të sillen, edhe me diçka që nuk pritet prej tyre” – tha ai.

Galeotti tha se kjo mund të jetë një shans për vendet si Kosova që ndoshta të thyejnë disa kufij të kurtuazisë së zakonshme diplomatike.

Sa i përket thyerjes së mirësjelljes diplomatike të Ukrainës, ku Zelensky kishte thënë publikisht se Frank-Walter Steinmeir nuk ishte i mirëpritur në Ukrainë, pasi Gjermania nuk po e mbështeste siç duhet vendin që ai e udhëhiqte, kishte reaguar edhe presidenti gjerman.

Frank Walter-Steinmeir kishte thënë se ai kishte në plan të shkonte më 13 prill 2022 në Kiev së bashku me presidentët e katër vendeve të tjera, Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, por nuk ishte i mirëpritur në Kiev, pas njoftimeve se presidenti Zelensky ishte kritik i të kaluarës së tij që vazhdimisht kishte mbështetur afrimin e Perëndimit me Rusinë.

Po ashtu, presidenti gjerman kishte mbështetur edhe ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të dyfishonte sasinë e gazit rus përmes një linje direkte për në Gjermani. Pas sulmit të Rusisë, Gjermania e anuloi projektin.

“Isha gati për vizitën, por më duhet ta pranoj, nuk isha i dëshiruar në Kiev” – kishte thënë Steinmeir, pa dhënë detaje të tjera.

Sipas Galeottit, Zelensky ka qenë në gjendje të shfrytëzojë pozicionin e tij, duke përmendur me emra shtetet dhe liderët e botës të cilët ai mendon se në fakt nuk e kanë mbështetur siç duhet Ukrainën, duke thënë se ky është një kombinim i Winston Churchill modern me Che Guevara.

Ai foli edhe për marrëdhëniet që i ka Rusia me Serbinë. Ai tha se duhet të mendohet nëse Vuçiq apo njerëzit përreth tij, kanë filluar të hamendësohen nëse janë duke e kalëruar ‘kalin e gabuar’.

Ai tha se kjo nuk është vetëm çështje politike. Sipas Galeottit këtu shtrohet pyetja se nëse sot i blen armatimet ruse, a do arrish të marrësh nesër pjesët rezervë të kësaj makinerie ushtarake?

“Duket se rusët nuk kanë pjesë rezervë as për vete. Ndoshta në një moment në të ardhmen Serbia do të kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh historik” –  shprehet Galeotti.