Aksioni për largimin e kamerave ilegale në Shtërpcë në korrik të vitit 2022, Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës ngjitet nëpër shtylla për të larguar kamerat e sigurisë në Shtërpcë (VIDEO)

KallxoPernime ka shfaqur pamjet nga operacioni i Policisë së Kosovës, gjatë të cilit janë konfiskuar kamerat e sigurisë në Shtërpcë.

Prokurori Rasim Maloku ka treguar se këto kamera kanë monitrouar gjithçka çka ka ndodhur në qytetin e Shtërpcës dhe pamjet e tyre i kanë dërguar në Serbi. Kjo është në kundërshtim me rendin kushtetues në Kosovë dhe se po zbatojmë urdhrin e gjykatës për largimin e tyre. 

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit” – ka thënë  Maloku.

“Kamerat e sigurisë në komunën e Shtërpcës monitorohen nga strukturat ilegale dhe kontrollojnë çdo lëvizje të autoriteteve publike të Kosovës dhe për këtë arsye ne jemi në aksion që këto kamera të hiqen dhe ato objekt ilegale të mbyllen”- theksoi Maloku.

Policia në fund të aksionit ka sekuestruar edhe serverin e kamerave të sigurisë. Ai kishte qenë i kamufluar në zyrën e një drejtori të një shkolle fillore në Shtërpcë.