Tomas Szunyog

Shefi i BE-së në Kosovë për sulmin terrorist në Banjskë: Autorët të dalin para drejtësisë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tha se BE-ja pati një qëndrim shumë të qartë rreth këtij sulmi, duke e cilësuar sulm terrorist.

“Ne e klasifikuam këtë si një sulm terrorist. Gjithashtu dua të theksoj se ne e shohim qartë këtë si një gjë të papranueshme e që duhet të hetohet në mënyrë adekuate dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Gjithashtu, dua të shpreh ngushëllimet për vdekjen e rreshterit Bunjaku. Ne po ashtu e respektuam ditën e zisë me ç’rast ne e ulëm flamurin e BE-së dhe unë personalisht mora pjesë në varrimin e tij”, tha ai.

Ai bëri thirrje që ky sulm të hetohet siç duhet dhe se autorët të dalin para drejtësisë.

“Duhet të presim edhe pak për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, por përsëri, përmasat e këtij sulmi, numri i njerëzve të përfshirë, mënyra se si ata e realizuan sulmin, por edhe armët dhe teknikat që u përdorën, numri i makinave, numri i armëve e gjëra të tjera janë vërtet të pazakonta, në një farë mënyre. Kjo nuk ishte një gjë normale. Përsëri, kjo duhet hetuar dhe zbuluar siç duhet”, tha Szunyog

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Policia sekuestroi arsenal armësh, dhjetëra automjete, dy autoblinda e armatim luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.