Pse dështoi aksioni i grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka analizuar aksionin e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit ditën e 24 shtatorit.

Sipas tij, kanë qenë shumë faktorë pse ka ndodhur aksioni e pastaj pse edhe dështoi si i tillë.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se vlerëson që Banjska ka qenë vetëm nisma e shpërndarjes së trupave të këtij grupi në terren.

“Kapja e terrenit ishte synimi apo qëllimi kryesor i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, pra vendosja e pozicioneve të luftimit. Kjo është pra një pushtim i pjesshëm i kapjes së anës veriore të vendit nga ana e tyre” – ka thënë ministri Maqedonci.

Ministri ka shpjeguar arsyet e dështimit të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij.

Sipas tij, grupi terrorist nuk e ka kalkuluar siç duhet situatën dhe perceptimi në atë se çka e pret ka qenë i gabuar.

“Grupi terrorist ka dështuar për shkak të një gabimi që ata e kanë bërë në aspektin e reagimit në kontakt me patrullën e Policisë së Kosovës, pasi shpeshherë gabimet vijnë nga kalkulimet e gabuara dhe perceptimit të gabuar. Mendoj që ata kur janë futur në Kosovë kanë vlerësuar që Policia e Kosovës nuk do të ketë kapacitetin të paktën me këto patrullat dhe me ekipe të vogla që t’i bëjë rezistencë apo t’i pengojë lëvizjet e tyre, është pra kalkulim i gabuar nga ana e tyre” – ka thënë ministri Maqedonci.

Ai vlerësoi gjithashtu nga këndvështrimi ushtarak se ata e kanë kalkuluar keq edhe momentin e ‘reagimit në kontakt’.

“Vlerësoj që Banjska ka qenë njëra nga nismat e para në terren për shpërndarjen e trupave” – tha ministri.

Ministri tha gjithashtu që grupi terrorist në Banjskë nuk e ka konsideruar mundësinë që do të hasin në një patrullë të Policisë.

“Aq më pak që Policia do të bëjë një rezistencë por gjithashtu vlerësoj që nuk kanë menduar që do të ketë një polic të rënë në detyrë” – ka shtuar ministri Maqedonci.

Ai ka thënë se policët e kanë bërë punën në mënyrë më profesionale të mundshme.

Si iku grupi terrorist nga Banjska?

Ministri tregon përvojën e tij si ushtar i UÇK-së kur ishin të rrethuar

Duke shpjeguar ngjarje në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator u krye sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka treguar përvojën e tij si ushtar i UÇK-së për të shpjeguar mënyrën se si grupi terrorist ka gjetur korridore për të ikur nga territori i Kosovës.

“Së paku 2-3 herë më ka ndodhur të jem në rrethime të tilla në UÇK, edhe kemi arritur me depërtu, pra nuk është e pamundur depërtimi. Mendoj që suksesi i operacionit është identifikimi dhe paraqitja para publikut vendor e ndërkombëtar, paraqitja e së vërtetës, e që është përfshirja e shtetit serb në atë sulm të grupit terrorist” – tha ministri i Mbrojtjes.

Ai ka shtuar se për herë të parë Kosova ka arritur të argumentojë se në veri të vendit veprojnë grupe kriminale e terroriste.

“Operacioni i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka bërë që të dalë e vërteta, ne për herë të parë kemi arritur që ta argumentojmë që në veri kemi grupe kriminale dhe terroriste” – ka thënë Maqedonci.

Grupi terrorist që vrau rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, sipas Maqedoncit është grup që lidhet me krimin e organizuar e korrupsionin, pra, sipas tij, nuk ka të bëjë me çështjen e serbëve të Kosovës.

“Se ata njerëz i bën bashkë diçka përtej çështjes patriotike, vlerësoj që ajo ka qenë ndër kalkulimet dhe perceptimet e gabuara” – tha ai.

Ai ka thënë gjithashtu se aksioni i grupit terrorist në Banjskë ka qenë i mbështetur nga shteti serb.

“Sulmi terrorist që ndodhi në Banjskë është aksion i mbështetur nga Serbia. Ka shumë dëshmi që këtë agresion e kanë mbështetur p.sh. llojet e armëve që i janë gjetur këtij grupi” – tha Maqedonci.

‘Serbia rrezik për rajonin e Europën nëse ka fabrika që shet armë pa dijeninë e shtetit’

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se dëshmi e shtetit të Kosovës që grupi terrorist që sulmoi Policinë në Banjskë është i mbështetur nga shteti serb është pikërisht lloji i armëve të përdorura.

Ai për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se këto armë që i janë gjetur këtij grupi nuk mund të shiten në një treg normal.

“Armë si M80, antitanku që i janë gjetur grupit terrorist, nuk mund të shiten në treg normal, pra nuk është armë individuale, pra që të shitet kjo armë kërkon një aprovim nga shteti. Është e pamundur që të blihet kjo armë në mënyrë të rregullt pa aprovimin politik të Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shitur si armë sepse konsiderohet me rrezikshmëri të lartë” – tha Maqedonci.

Ai ka shtuar se këto armë janë të prodhuara nga fabrika “Sloboda”, që është fabrikë shtetërore serbe.

“Shumica e armatimit ka qenë e prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë, në fabrikat që prodhojnë për ushtrinë serbe dhe në ato që shesin me leje të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Në këtë rast ka qenë e pamundur që këto armë të bien në duar të një grupi” – tha ministri i Mbrojtjes për “Kallxo Përnime”.

Ai ndër të tjera ka shtuar që nëse ky grup nuk do të ishte i kontrolluar nga shteti serb, atëherë Serbia do të konsiderohej si vend që përbën rrezik për regjionin dhe Europën.

“Nëse ky grup nuk ka qenë i dirigjuar nga shteti serb dhe nëse fabrikat në Serbi prodhojnë dhe shesin armë të cilat shteti serb nuk mund t’i kontrollojë unë vlerësoj që Serbia do të klasifikohet një vend me rrezikshmëri të lartë që prodhon terroristë dhe përbën rrezik për regjionin dhe Europën” – tha Maqedonci.

Megjithëkëtë ai thotë që nuk e beson këtë teori që Serbia nuk e di se çfarë ndodh në territorin e saj.

“Nuk besoj që Serbia është në stadin e një shteti që nuk din se kush është brenda se kush blen armë apo kush shet armë”, tha Maqedonci.

Ushtrimet e grupit para aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit

Ministri i Mbrojtjes ka analizuar edhe ushtrimet që grupi terrorist shihet duke i bërë para se të sulmoj Banjskën më 24 shtator.

Ai për “Kallxo Përnime” ka thënë se ata janë parë duke bërë ushtrime ushtarake në grupe të vogla, pra ushtrime të taktikave ushtarake.

Mbulimi dhe kamuflimi bëhet për shumë arsye, edhe për mos m`u pa prej dronit por edhe mos me u pa prej vëzhguesve, dylbive prej njësive kundërshtare”, tha Maqedonci, duke ju referuar videos e cila është realizuar nga dronët ku shihen disa pjesëtarë të grupit terrorist duke bërë ushtrime të ndryshme.

Ai ka thënë se shpeshherë në periudha të ndryshme të historisë, shteti serb është mbivlerësuar, duke iu referuar videos që kanë lënë pas veti grupi terrorist që shihet duke ushtruar.

“Serbia ka bërë shumëherë shumë gabime gjatë historisë, strategjike, taktike, unë nuk e shoh ushtrinë serbe as këtë shtet të pagabueshëm edhe është shumë i mundshëm që është i gabueshëm edhe për faktin që këta kanë mbet në stadin e zhvillimit”, tha Maqedonci.

Ai ka shtuar se ushtria serbe nuk e ka doktorinë e NATO-n.

“Ata nuk e kanë bazamentin, FSK-ja psh është ndërtuar prej fillimi nga NATO-ja, as nuk jemi transformuar as asgjë, pra ne kemi ndërtuar gjithçka nga standardet e NATO-s. Ushtrimet e përbashkëta nuk nënkuptojnë trajnim dhe zhvillim profesional të njejët”, tha Maqedonci.

Ministri Maqedonci tha gjithashtu se FSK-në nuk e ndalon asgjë për të shkuar në veri të vendit. Ai ka deklaruar se Forca e Sigurisë së vendit ka zhvilluar disa aksione në atë pjesë të Kosovës.

“Është Kushtetuta dhe ligjet që na obligojnë për të mbrojtur territorin e vendit”, tha Maqedonci.

Gjithashtu ai tha se nuk është dështim i KFOR-it, hyrja e grupit terrorist në territorin e Republikës së Kosovës.

“Nuk është mandat kyç i KFOR-it, marrja me grupe të armatosura të limituara”, tha ai.

Sipas tij KFOR-i këtë grup terrorist e ka konsideruar si rrezikim të territorit e sovranitetit të Kosovës.

“Nuk vlerësoj që KFOR-it duhet me ja ndi për secilën gjë në territorin tonë, neve duhet. Ne edhe në të kaluarën kemi zhvilluar operacione në veri dhe i kam ofruar mbështetje për çkado edhe komandantit të KFOR-it”, tha ministri i Mbrojtjes.

Shpjegimi i ministrit se çfarë dëme shkaktojnë armët “Zola” që iu gjetën grupit terrorist në Banjskë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shpjeguar se çfarë dëme shkaktojnë armët që i janë gjetur grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë.

Ai ka thënë se këto armë përveç që shkaktojnë dëme të mëdha, janë armë që përdoren kundër mjeteve të blinduara.“’Zola’ përdoret kryesisht kundër mjeteve të blinduara, gjithashtu për goditjen e personelit, shkaktojnë dëme të mëdha dhe varet ku godasin. Këto armë janë ushtarake” – tha ministri i Mbrojtjes.

Maqedonci ka shtuar se nëse ky grup terrorist do të arrinte të zinte terren dhe të mposhtte Policinë e Kosovës, atëherë sipas tij misioni i KFOR-it do të intervenonte.

“Nëse PK-ja do të dështonte kundër grupit vlerësoj që KFOR-i ka pasur kapacitetet dhe mandatin për të reaguar dhe për ta shpartalluar këtë grup” – tha Maqedonci.

Sipas tij, KFOR-i sulmin në Banjskë e ka konsideruar si sulm ndaj sigurisë shtetërore.

“Barrikadat i ka vlerësuar më shumë si çështje të sigurisë publike, ndërsa ky në Banjskë ishte çështje e sigurisë shtetërore, ka qenë rrezikim i sovranitetit të një vendi” – shtoi tutje ministri Maqedonci.

Ndryshe më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë. Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

A mund të rikthehet Kosova në ushtrimin ushtarak “Defender”?

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në emisionin “Kallxo Përnime” ka shpjeguar rikthimin e Kosovës në organizimin e madh ushtark “Defender”, nga i cili vendi u përjashtua në maj të këtij viti, si masë sanksionuese pas zhvillimeve në veri. Maqedonci tha se kanë pasur ekipin e tyre në muajin e kaluar që ka marrë pjesë në konferencën planifikuese për “Defender 2025”. “Është për tu theksuar që ky përjashtimi që po theksohet shpesh, nga “Defender”, është bërë për një copëz të ushtrimit, përndryshe ushtrimi “Defender” është i përvjetshëm. Ne vetëm kemi pasur ekipin, muajin e kaluar që ka marrë pjesë në konferencën planifikuese për “Defender 2025”. Ne kemi vazhduar të gjitha aktivitetet e tjera bilaterale sipas planifikimit, kemi shtim të aktiviteteve në fakt”- tha ministri.

Ai ka theksuar se Kosova nuk është përjashtuar prej ushtrimit, por që sipas tij është pezulluar vetëm DV-Day që është dita e vizitorëve.

“Në fakt nuk na kanë qitë prej “Defender”-it, na kanë pezulluar ditën e vizitorëve që ka qenë dita e prezantimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës para publikut dhe para personaliteteve të larta. Është ushtrim jashtëzakonisht i madh, pezullimi është bërë i një pjese shumë të vogël që është dita e vizitorëve”- tha Maqedonci.

“Mos mundësia e prezantimit se çka kemi bërë për një vit e gjysmë. Kanë përfundu ushtrimet dy tri ditë para se të bëhet DV-day. Dy ditë para se të përfundojë ushtrimi janë përfunduar pjesa dërmuese e gjithë aktiviteteve të planifikuara në ushtrimin ‘Defender’”- theksoi ai.

Më tej, ministri ka shpjeguar se Forca e Sigurisë së Kosovës plotësohet me pajisje dhe me sisteme të armatimit bazuar në planin e tranzicionit që ka si forcë, teksa shtoi se një pjesë e tyre është demonstruar edhe gjatë përgatitjeve për “Defender Europe 23”.

“Ne vazhdojmë të plotësohemi me pajisje dhe me sisteme të armatimit bazuar në planin e tranzicionit që kemi si forcë. Unë mund të theksoj që sepse edhe janë parë edhe në publik një pjesë e tyre që kemi demonstruar gjatë përgatitjeve për “Defender Europe 23”.

Kemi sisteme antitank ndër më modernet që ekzistojnë aktualisht”- tha Maqedonci.

Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Ushtrimi fushor “Defender Europe”, është ushtrim vjetor i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.Kosova ishte pjesë e “Defender Europe 21” ndërsa planifikohej të ishte pjesë edhe këtë vit.“Defender Europe 2023” drejtohet nga ushtria amerikane. Kosova do të ishte mikpritëse e mbi 1 mijë trupave.

Ushtrimet do të kryenin në Bokë dhe aeroportin e Gjakovës.

Çka është “Defender Europe” ushtrimi nga i cili u përjashtua Kosova?