Vërshimet në Pejë

Prokuroria e Pejës po heton rastin e vërshimeve tragjike të 24 qershorit

Prokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Qavolli ka konfirmuar në Kallxo Përnime se kanë filluar hetimet për rastin e vërshimeve që ndodhën në fund të qershorit në këtë qytet.

Ai për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se e kanë udhëzuar Policinë që të mbledhë të gjitha provat e nevojshme lidhur me këtë rast.

“Prokuroria në Pejë ka filluar hetimet rreth vërshimeve në ketë komunë. Jemi në pritje të raporteve, të cilat do të përcaktonin nëse kemi përgjegjësi penale, prandaj kemi autorizuar Policinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” – tha prokurori Qavolli.

Ndërsa prokuroria e Pejës ka konfirmuar se ende janë në pritje të raporteve për të vlerësuar përgjegjësinë eventuale penale.

Ai ka shtuar se do të hetohen edhe ata të cilën kanë uzurpuar pjesën afër lumit.

“Uzurpimi është vepër penale dhe do të hetohet, mirëpo do të verifikohet edhe a ka përgjegjësi penale nga persona kompetentë, të cilit kishim obligim eventual ta mbikëqyrnin pjesën e rrjedhës së lumit. Nëse rezulton që kanë obligim për mbikëqyrje të asaj rrjedhe atëherë sigurisht që do të ketë edhe përgjegjësi penale” – tha Qavolli.

Ndryshe ky është hetimi i parë për vërshime në Kosovë.

Qavolli ka thënë se nëse do të vërtetohet që vërshimet janë shkaktuar si pasojë e mosveprimit të dikujt, atëherë do të arrestohen personat përgjegjës.

“Do t’i arrestojmë personat përgjegjës që potencialisht janë shkaktarë të këtyre vërshimeve, nëse dalin që janë përgjegjës. Policia është në fazën e grumbullimit të raporteve dhe shumë shpejt do të dalim edhe me njoftim zyrtar se çka kemi arritur me siguru deri në këtë fazë” – tha tutje ai.

https://kallxo.com/lajm/gjendet-pa-shenja-jete-edhe-nena-e-femijes-se-vdekur-ne-peje/

Qavolli ka shtuar se përmes raporteve që do t’i siguroj policia, prokuroria do të dalë me njoftim se çka është siguruar deri në këtë fazë.

Ai ka ftuar edhe qytetarët që nëse kanë ndonjë provë, të denoncojnë atë në këtë institucion.

“Qytetarët mund të paraqiten ose në prokurori mirëpo edhe në policinë e Kosovës, nëse kanë prova për të cilat ne nuk jemi në dijeni, atëherë unë iu bëj apel të gjithatë atyre që të paraqiten në Prokurorinë Themelore në Pejë” – tha prokurori Qavolli.

Ai shtoi se varësisht prej dëshmive që do të mblidhen do të zgjerohen edhe hetimet.

“Atëherë do të konstatojmë a do të ketë nevojë të zgjerohen hetimet edhe në at fazë deri te prerja e pyjeve etj” – thotë Qavolli.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 25 zyrtarëve të komunave për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër 25 personave, zyrtarë të komunave, për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli ka thënë se këtë vit janë ngritur aktakuzat e para ndaj zyrtarëve komunalë që lidhen me çështjen e ndërtimeve pa leje.

“D.m.th. legalizimin e objekteve dhe janë ngritur edhe disa aktakuza kundër 25 personave zyrtarë komunalë, prandaj jemi në fazën e shqyrtimeve gjyqësore” – ka thënë Qavolli.

“Aktakuzat ndaj zyrtarëve për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoriteti zyrtar” dhe “Konflikti i interesit”, këto aktakuzat kanë kaluar shqyrtimin fillestar dhe për të njëjtat është duke u mbajtur shqyrtimi gjyqësor” – thotë Prokuroria e Pejës.

Ai ka shtuar se në dy vitet e fundit janë arrestuar 30 zyrtarë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

“Janë mbi 200 aktakuza që Prokuroria në Pejë i ka ngritur kundër personave për veprën penale të ndërtimit pa leje. Në momentin që një person shpallet fajtor për ndërtim pa leje atëherë do të urdhërohet edhe rrënimi i atij objekti” – tha Qavolli.

Çështja e ndërtimeve pa leje në Komunën e Pejës vazhdon të jetë problem sidomos në pjesën e mbrojtur të saj.

Qavolli lidhur me këtë ka thënë se nëse aktgjykimet do të bëhen të plotëfuqishme atëherë, si Prokurori do të angazhohen në hetimin e këtij aktgjykimi.

“Nëse këto aktgjykime bëhen të plotëfuqishme atëherë detyrimisht ai aktgjykim do të zbatohet dhe rrjedhimisht do të rrënohen objektet pa leje”, ka thënë tutje Qavolli

https://kallxo.com/lajm/leshimi-i-lejeve-ndertimore-ne-peje-ngritet-aktakuze-ndaj-11-personave/

Ai poashtu ka thënë se janë 5 raste në Prokurorinë Themelore në Pejë që po hetohen për konfiskim të pasurisë që lidhet me pasurinë e pajustifikueshme.

“Jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve nëse personat kanë pasuri që nuk korrespondon me të hyrat e tyre të ligjshme dhe këta janë zyrtarë shtetëror, komunal, pjestar të grupeve të ndryshme kriminale”, thotë tutje Qavolli

Çka po bën Prokuroria e Pejës për vrasjet e pasluftës?

Peja është një nga komunat ku ka pasur më së shumti vrasje në periudhën e pasluftës.

Që atëherë këto raste vazhdojnë të jenë të pazgjidhura.

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Qavolli, ka thënë se janë 115 raste të tilla.

“Ka pasur vrasje ndoshta më shumë sesa në zonat e tjera. Nga 115 raste të vrasjeve të pasluftës, i kemi targetuar 10 sosh dhe kemi arritur t’i identifikojmë 6 kryerës të këtyre veprave penale të vrasjeve që kanë ndodhur në periudha të mëhershme dhe tani jemi në fazë të shqyrtimit gjyqësor” – shtoi Ersan Qavolli.

Ai ka shtuar se kohëve të fundit janë 20 vrasje, dhe 19 prej tyre janë zgjidhur.

“Pra vetëm 1 vrasje nuk e kemi zgjidhur. Dhe mendoj që kemi qenë shumë efektivë. Pasi që puna ekipore ka sjellë edhe rezultatet e duhura” – ka thënë Qavolli.

Përderisa për vrasjen e Qerim Kelmendit ka thënë se janë duke u zhvilluar hetimet.

“Ky rast është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe unë nuk mund të jap informata lidhur me këtë rast” – tha Qavolli.

https://kallxo.com/lajm/nje-vit-nga-vrasja-e-qerim-kelmendit/

‘’Çështja e fajdeve në këtë komunë është pikë e veçantë e prokurorisë’’, thotë Qavolli.

“Bashkëpunimi mes viktimës dhe organit të akuzës është thelbësor. Këtë çështje ne e kemi trajtuar me seriozitet dhe vetëm këto dy vitet e fundit kemi rast kur për një rast janë arrestuar 23 persona, për këto vepra penale, janë sekuestruar dhe bllokuar shumë llogari bankare, vetura, shtëpi etj. Në një rast tjetër janë arrestuar 3 persona, një tjetër rast 2, e mira është që kemi filluar me marrjen e aktgjykimeve nga ana e gjykatës ku një person është dënuar me 6 vjet burgim”, tha Qavolli.

Përderisa për mundësinë e arrestimeve të reja në Pejë ai ka thënë se janë në proces të identifikimit edhe të personave të tjerë që merren me këtë veprimtari

“Duke marr parasysh që është shumë çështje e ndjeshme, nuk mund të konfirmoj nëse do të ketë arrestime, por ajo çka mund të konfirmoj është që jemi duke zhvilluar hetime intensive por apeloj të gjithë ata persona që kanë informata që dikush merret me këtë lloj veprimtarie apo janë viktima të fajdes të paraqiten në Prokurori apo polici dhe ne do ti trajtojmë në mënyrën më serioze”, tha Qavolli

Ai gjithashtu ka thënë se kanë dëshmuar që nuk ka persona të paprekshëm lidhur me këto raste.