I dyshuari për vrasje në tentativë me sëpatë në Pejë – recidivist i veprave penale

“I njëjti është i njohur nga organet e ndjekjes si recidivist i veprave të ndryshme”.

Kështu thuhet në dosjen e Prokurorisë për të pandehurin I.I., i cili dyshohet se tentoi të vrasë duke e goditur me sëpatë të dëmtuarin A.J. në Pejë.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se për I.I., në evidencat e Prokurorisë së Pejës del se është recidivist, e madje për të thuhet se “bën pjesë në grupin e veprave të rënda penale”.

Kjo dosje tregon se I.I. ka qenë i dënuar me hiç më pak se me tetë aktgjykime.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë së Pejës, e edhe në aktvendimin për fillimin e hetimeve, të cilat i ka siguruar KALLXO.com, tregohet se deri më tash janë marrë në pyetje disa persona e është sekuestruar edhe një telefon.

Ngjarja kishte ndodhur pranë një lokali në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë. Aty i pandehuri fillimisht kishte pasur një fjalosje me të dëmtuarin A.J., e më pas e kishte goditur atë më sëpatë.

Dosja e Prokurorisë tregon se bishti i sëpatës ishte përdorur nga i pandehuri për t’i shkaktuar dëmtime trupore të dëmtuarit.

“Në një moment i pandehuri e merr sëpatën të cilën e kishte gjetur në vendin e ngjarjes dhe e godet të dëmtuarin me bisht të sëpatës në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkakton lëndime trupore” – thuhet në dokumentet e siguruara.

Tutje në këto dokumente thuhet se i pandehuri me dashje dhe me mjet të rrezikshëm-me sëpatë ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin A.J.

Dokumentet tregojnë po ashtu se i pandehuri I.I. pasi goditi viktimën u largua nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë ngjyrë hiri së bashku me një person tjetër.

Personi i fundit thuhet se e kishte dërguar të pandehurin deri në shtëpinë e tij, ndërsa pas kësaj i dëmtuari A.J. ishte paraqitur në stacionin policor në Pejë, ku e kishte lajmëruar rastin.

Lidhur me rastin, organet e drejtësisë e të rendit morën në pyetje disa dëshmitarë. Njëri nga ta e kishte parë se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

Ai ka deklaruar se përpara lokalit kishte vërejtur dy persona, dhe njëri prej tyre, i pandehuri, kishte qenë duke e goditur me një mjet të fortë të dëmtuarin në regjionin e kokës.

Dosja tregon se dëshmitari me pas kishte vërejtur se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një “Skuter” ngjyrë hiri.

Organet kanë intervistuar edhe të dyshuarin I.I., i cili ka deklaruar se derisa kishte qenë në lokal, pranë të cilit ka ndodhur ngjarja, kishte vërejtur të dëmtuarin A.J. teksa kishte zbritur nga vetura e tij dhe ishte nisur në drejtim të lokalit.

Pas kësaj, dosja tregon se I.I. kishte dalë nga lokali dhe kishte filluar që të debatojë me të dëmtuarin lidhur me disa mosmarrëveshje që kishin pasur më herët.

Tutje theksohet se i dyshuari ka deklaruar se pranë vendit ku gjendeshin kishte parë një sëpatë dhe më të e kishte sulmuar të dëmtuarin duke e goditur me bisht të sëpatës në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore.