AnnaCarin Platon: Kosova duhet ta miratojë Kodin Civil

Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon, ka thënë se Kosova duhet të miratojë Kodin Civil, diçka që sipas saj është vonuar shumë.

Ajo ka folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe të Komisionit Europian, në takimin e 11-të të Komisionit parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë sot më 26.03.2024.

Platon rikonfirmoi bashkëpunimin mes BE-së dhe Kosovës, teksa tha se është e rëndësishme që Kosova të zbatojë reformat dhe të arrijë progres.

“Më lejoni te theksoj në emër të Borrell dhe (komisionerit europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver) Varhelyi që do të vazhdojmë bashkëpunimin me Kosovën në interes te qytetarëve të Kosovës dhe BE-së” – tha ajo.

Sa i përket reformës në drejtësi, Platon tha se Ministria e Drejtësisë ka bërë angazhimin e saj, por theksoi nevojën për rishikime legjislative në këtë fushë. Ajo përshëndeti vendimin e kryeministrit të Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit.

“Kërkohet që Qeveria të përfshihet në mënyrë konstruktive në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve” – shtoi zyrtarja europiane.

Takimi i sotëm është kryesuar nga shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka marrë parasysh progresin e Kosovës.

MSA-ja si marrëveshje ndërkombëtare përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së.