Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit, e që sipas tij, gjithçka bëhet e vështirë nëse nuk besohet në këto të drejta.

Kështu u shpreh ai në hapje të konferencës hapëse “Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Obligimet e shtetit”.

“Për bindjen dhe besimin tim, të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit, gjithçka bëhet e vështirë aq edhe e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut, gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut”- tha Kurti.

“Të drejtat e njeriut do të duhej sa më shumë të shfrytëzohen edhe për të spikatur që secili prej neve është qenie njerëzore i pandashëm sepse individ, është i pandashëm. Pra secili prej neve është i pandashëm por të gjithë ne jemi bashkë në shoqëri, kjo pikënisje është thelbi dhe themeli i qytetërimit”- theksoi ai.

Kurti vlerësoi se konferenca e sotme është shenjë e solidaritetit por edhe e përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e të drejtave të njeriut si institucione dhe si shoqëri.

Ai tha se për të siguruar dinjitet dhe barazi për çdo individ nuk mund të neglizhohet fuqia e fjalëve dhe domosdoshmëria e një mjedisi të lirë nga urrejtja dhe diskriminimi.

Kurti ftoi qytetarët e vendit që të raportojnë diskriminimin kudo që e hasin atë.

“Për të siguruar dinjitet dhe barazi për çdo individ nuk mund ta neglizhojmë fuqinë e fjalëve dhe domosdoshmërinë e një mjedisi të lirë nga urrejtja dhe diskriminimi. Andaj kemi krijuar platformën “raportodiskriminimin.org” të lansuar nga Zyra ime vitin e kaluar. Ftoj qytetarët të raportojnë diskriminimin kudo që e hasin atë”- ka thënë ai.

“Po i avancojmë politikat, po forcojmë mekanizmat institucional dhe po rrisim buxhetimin e nevojshëm për zbatimin e ligjeve dhe promovimin e respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut”- shtoi Kurti.

Teksa ka folur për çështjen e Kodit Civil, kreu i ekzekutivit tha se në Qeveri është votuar, mirëpo sipas tij duhet të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Kodi Civil në mbledhjen ku jemi 19 veta është votuar, 19 veta janë 15 ministra dhe tre zëvendësministra, tre zëvendëskryeministra dhe unë. Por duhet të votohet edhe në atë dhomën tjetër më të madhe ku janë 120 dhe insistimi im është që ta bëjmë këtë por edhe ne kemi nevojë për ndihmë, kemi nevojë për më shumë vetëdijesim përfshirë deputetët e sidomos deputetët, dhe për rritje të ndjeshmërisë. Për këtë jam jo vetëm i gatshëm por edhe i interesuar të bashkëpunoj”- u shpreh Kurti.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) po mban konferencën “Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Obligimet e shtetit”.