Haxhiu për premtimin e pambajtur për Kodin Civil: S’mund ta procedojmë në Kuvend nëse s’jemi të bindur se kalon

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media u pyet nga KALLXO.com në lidhje me premtimin e saj se Kodi Civil do të procedohej në Kuvendin e Kosovës brenda vitit 2023.

Haxhiu tha se e ka parë artikullin e KALLXO.com “Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte”, teksa theksoi se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për Qeverinë.

“E pash një artikull të KALLXO.com, ishte kështu “Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte”. Më besoni se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Arsyeja se pse nuk e kemi proceduar ende nuk ka të bëjë se ne nuk jemi për atë dokument, sepse konsiderojmë se janë shumë të rëndësishme të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës, dhe Kodi Civil i avancon këto të drejta”- deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se nuk mund të procedojnë në Kuvend nëse nuk janë të bindur se mund të kalojë dhe se nuk mund të përballojnë situatën nëse dokumenti refuzohet sërish.

“Ne jemi marrë vetëm me një temë, me nenin 1148, por kemi rënë edhe në shumë të drejta tjera që qytetarët mund t’i gëzojnë nëse hyn në fuqi Kodi Civil, sepse ju e dini Kosova nuk ka Kod Civil dhe ligjet në fuqi janë të stërvjetëruara dhe nuk janë në përputhje me rrethanat. Mirëpo, nuk jam e bindur që mund ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk jemi të bindur se mund të kalojë, nuk mund ta përballojmë situatën nëse Kuvendi sërish refuzon ta votojë një dokument të tillë”- vlerësoi Haxhiu.

“Jo vetëm për shkak se çka përfaqëson Qeveria në raport me të drejtat e njeriut, por edhe për shkak të rrugëtimit të Kosovës edhe në Këshillin e Europës. Ju e dini se fazën kryesore e kemi këtë vit, pra anëtarësimi i Kosovës në Këshill, andaj nuk do ishte mirë për Kosovën që një lajm i tillë si Kodi Civil nuk kalon sërish”- shtoi ajo.

Më tej, Haxhiu sqaroi se janë në përpjekje maksimale që Kodi Civil të kalojë dhe se janë në komunikim me deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, teksa shtoi se përgjegjësi në miratimin e këtij projektkodi ka edhe opozita.

“Jemi në përpjekje maksimale që të kalojë, në komunikim me deputetët e grupit tonë parlamentar, nuk mund të them sot me siguri që i kemi apo nuk i kemi, megjithatë jam optimiste se në momentin kur ta procedojmë edhe do të kalojë. Kini parasysh që këtu përgjegjësi ka edhe opozita, sepse ata po thonë që po i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, nëse është kështu, atëherë duhet të votojnë ligje të cilat u shërbejnë qytetarëve. Sa kemi qenë në opozitë kemi kundërshtuar ligje të dëmshme por kur kanë sjellë ndonjë ligj që kemi konsideruar që është i rëndësishëm për qytetarët, e kemi votuar. Qasja e tyre është e padrejtë”- u shpreh ajo.

Ministrja e Drejtësisë theksoi se nuk do të tërhiqen nga drafti që kanë proceduar më herët.

“Ne e kemi në agjendë legjislative Kodin Civil, por nuk mund të themi me siguri se kur pritet sepse varet nëse i kemi votat në Kuvend. Përndryshe Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Qeverinë dhe ne nuk do të tërhiqemi nga drafti që e kemi proceduar më herët”- përfundoi ajo.

KALLXO.com në fund të muajit dhjetor ka publikuar artikullin me titull “Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte: Zvarritja e miratimit të Kodit Civil”.

Artikulli konstaton se premtimi qeveritar i dhënë nëpërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Projektkodi Civil do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda vitit 2023 është i rremë. Projektkodi Civil nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2023.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se viti 2024 është viti final, dhe se në vitin e ardhshëm ky projektkod do të miratohet në dy lexime.

Në seancën e 16 marsit të vitit 2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Debatet dhe kundështimet ishin në lidhje me nenin 1138 të këtij Projektkodi. Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.

Kundër këtij Projektkodi ishin shprehur edhe institucionet fetare në Kosovë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët patën kundërshtuar nismën e institucioneve të vendit për shqytimin e Projektkodit Civil të Kosovës që ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte: Zvarritja e miratimit të Kodit Civil