Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muja: Duhet të definohet se çka nënkupton vetëmenaxhimi

Deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Armend Muja, ka thënë se brenda 30 ditëve duhet të definohet se çka do të thotë vetëmenaxhim, ashtu siç parashihet në Planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëmenaxhimi ishte një nga pikat e kësaj Marrëveshjeje. Në dy pika është se çfarë përfiton komuniteti serb në Kosovë, kjo është e tëra. Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe kjo po ndodh për herë të parë dhe ofrohet me këtë Marrëveshje. Për herë të parë integrimi në BE dhe Serbia njeh simbolet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Muja në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, Vetëvendosja këtë e konsideron njohje ‘de facto’ të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ndryshe, të shtunën vonë përfundoi një ditë maratonë takimesh në Ohër rreth dakordimit për aneksin e Planit të BE-së që ka të bëjë me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Liderët e dy vendeve u morën vesh për disa pika por nuk nënshkruan asgjë në letër.

Aneksi i Marrëveshjes u publikua nga BE  por ende nuk dihet kur do nisë zbatimi, si do shkojë procedura dhe kur do të dalë ky dokument për miratim në kuvendet përkatëse.

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes