Hykmete Bajrami: Çdo gjë që kemi importuar, qytetarët e kanë paguar 20.5% më shumë

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se sipas Doganës, importi në vitin 2022 në sasi ka rënie për 14.5% dhe ka rritje në vlerë prej 20.5%.

“Çdo gjë që kena importu në Kosovë, qytetarët kanë pagu 20.5% më shumë” – ka thënë Hykmete Bajrami në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ndërsa Armend Muja i Vetëvendosjes e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se këto të dhëna janë si tërësi.

“Nuk është ashtu, mund të jetë import i ndonjë materiali të veçantë p.sh. mund të importojë dikush thëngjill dhe ka sasi më shumë por jo sasi kokë për kokë e çdo malli, d.m.th. këtë të dhënë nuk e ki nga Dogana por e ke si tërësi” – tha Muja.

Ai ka thënë se buxheti për komunat në vitin 2024 është mbi 700 milionë euro.

“Në vitin 2020 ka qenë mbi 500 milionë euro. I kemi shtuar 200 milionë euro. Në çdo mandat tjetër të qeverive tjera i kanë shtu nga 40 milionë, ndërsa ne 200 milionë” – tha Muja.

Këtë e ka kundërshtuar Bajrami duke thënë se sipas buxhetit të vitit 2024, kjo Qeveri i ka shtuar buxhetit në vitin 2022 i ka shtuar 241 milionë. “Ky po flet për planifikimet e vitit 2023 që nuk është kry ende. Me krejt inflacionin që ka ndodhë, i bie që as 10% e normës së inflacionit nuk është shtu në buxhet” – tha Bajrami.

“Unë po them që kur të rritet buxheti me formulë, komunave ju takon një ndarje më e madhe sepse është granti i përgjithshëm, është granti për arsim, është ai për shëndetësi”, – tha tutje Bajrami

Ndërsa Muja ka insistuar se kjo Qeveri ka shpërblyer komunat sepse sipas tij ka mbledhur të hyrat më mirë se qeveritë e tjera.

“A po e konteston këtë 200-milionëshin si shifër? Çdo Qeveri i ka shtuar nga 47 milionë euro me formulën e njëjtë pse s’ia keni shtu ju 200 milionë euro? Sepse s’keni mbledhur të hyra. Ne i kemi mbledhur të hyrat dhe i kemi shpërnda” – thotë tutje ai.