Fejsal Demiraj, Foto: KALLXO.com

Kuzhinieri me renome botërore: Maza e Rugovës, ndër 5 produktet më të mira në botë

Fejsal Demiraj, është kuzhinier që ka punuar në restorantin skandinav, “Noma”, me renome botërore.

Ai gjatë pandemisë ka vizituar Kosovën, më konkretisht bjeshkët e Rugovës, për të parë rreth ushqimeve burimor, që mund të eksportohen jashtë vendit.

Në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për produktin e qumështit, mazën. Intervista e tij u transmetua në debatin e sontëm në Kallxo Përnime, ku po debatohet për agroturizmin dhe traditën e ushqimit.

“Për mua si shef i kuzhinës, që kam punuar në shumë restorante nëpër botë, kam provuar produkte të ndryshme, unë besoj që maza e vjetër që bëhet në Rugovë, që e pamë sot duke u prodhuar në Bogë, është një nga produktet më të mira në botë, edhe me siguri në top pesëshen e produkteve në Evropë, ndoshta edhe më lartë”, tha Demiraj.

Arsyeja që ky produkt është kaq i mirë, qëndron në mënyrën e përgatitjes.

“Arsyeja është se mënyra e përgatitjes së mazës është shumë e vjetër, ndoshta me mijëra vjet dhe nuk ka ndryshuar, është e njëjta si para mijëra vjet si tash”, tha Demiraj.