Si i ndihmuan ushqimet organike shefes së kuzhinës, në trajtimin e kancerit - VIDEO

Florina Skeja, pronare e restorant ‘Thana’ dhe kryeshefe e kuzhinës, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për agroturizmin, ka thënë se i di shumë gjëra për produktet ushqimore, pasi që i është imponuar nga familja.

“Edhe pse jam rrit në Prishtinë, kam kulturën e fshatit, 3-4 muaj kemi qëndruar në fshat dhe kamë bërë kos, djath, mazë, di si ndahen kulturat, në opojë bëhet gjalpi në Rugovë maza dhe kemi produkte fantastike”, tha ajo.

Ajo më tej ka thënë se në Kosovë mazën nuk e bëjnë ‘hesap’.

“Është shumë e vlefshme, e shëndetshme”, thotë ajo.

Ajo tregon vështirësitë e saj për të gjetur produkte organike për restorantin e saj.

“Kam probleme me gjet mish kingji organik se ne e marrim vetëm nga Sharri. Maza e cila është marr nga lopa, delja që ka kullot në natyrë, është shumë e shëndetshme dhe antikancerogjene”, thotë Skeja.

Ajo më tej ka ndarë edhe përvojën e saj me sëmundjen e kancerit.

“Kam mësuar se gjalpi dhe maza janë miku im, jo armiku im, por jo nga industria, kur më është përsërit kanceri herën e dytë nuk më është shpërndarë në tërë trupin, kam pasur sukses, kam pasur dietë strikt me ushqime organike”- thotë më tej ajo.