Banorë të fshatit Malaj të Rugovës raportojnë se janë bllokuar nga bora

Një banor i fshatit Malaj të Rugovës me emrin Besnik Lajqi, ka raportuar se dy familje në fshatin Malaj të Rugovës në Pejë, janë bllokuar si pasojë e reshjeve të borës.

Përmes një postimi në Facebook, qytetari Besnik Lajqi ka shkruar se trashësia e borës është rreth 1.5 metra.

“Ju njoftoj se disa fshatra të Rugoves jemi të bllokuar nga bora! Unë ku jetoj jam i bllokuar nga bora e madhe që ra në mbramjen e kaluar është mbi 1.5 metra. Bora po vazhdon! Fshati Malaj është i bllokuar ku jetojmë 2 familje” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Pejës, Arianit Demaj, për KALLXO.com, ka thënë se Komuna ka pranuar informatën dhe se me të po merret Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndërsa ka thënë se brenda ditës ky fshat do të zhbllokohet.

Sipas Demajt, një pjesë e rrugës për në fshatin Malaj, është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës për pastrimin e saj.

“Një pjesë e rrugës që ka qenë, ka qenë e kontraktuar prej ministrisë, kjo rruga që e përfshin Kuqishtën dhe një hark rrethor Bogë, Shkrel dhe Koshutan. Drejtori është i njoftuar dhe besojë që sot gjatë ditës rregullohet kjo punë, nuk ka me pas telashe” – ka thënë Demaj për KALLXO.com.

Sipas tij, Komuna përveç fshatit Malaj nuk ka pranuar ndonjë informatë për ndonjë fshat tjetër potencialisht të bllokuar.

.