Jagxhiu: Maza e Rugovës të futet në UNESCO, si trashëgimi jo materiale

Në emisionin “Kallxo Përnime”, po diskutohet rreth agroturizmit dhe traditës së ushqimit.

Jeton Jagxhiu, graficist e inxhinier, që një kohë të gjatë merret me hulumtimin e identitetit të qytetit të Prizrenit, por edhe me njohjen e traditave dhe trashëgimisë ushqimore të kësaj komune dhe të rrafshit të Dukagjinit.

Ai ka thënë se zona e Rugovës dallohet prej zonave të tjera me mazën.

“Nga qumështi bëhet maza, i cili është edhe produkti kryesor, plus me një teknikë të moçme. Për këtë mazë, Rugova shquhet edhe në rajon për shembull në Malin e Zi, Serbi dhe është diçka shumë e vlefshme dhe që institucionet kulturore mund të mendojnë në të ardhmen që ta fusin në UNESCO, si trashëgimi jo-materiale”, tha Jagxhiu.

Këtë zonë e karakterizon edhe djathi i Sharrit.

“Sa i përket Kosovës, është djathi i vetëm që mund të vjetërohet, maturohet dhe është traditë e qytetit të Prizrenit, djathi prodhohet në Gorë, Opojë, mirëpo maturimi bëhet në qytet edhe kjo është diçka shumë karakteristike dhe sipas hulumtimit tim është një traditë mbi 2 mijë vjeçare”, tha më tej Jagxhiu.