Ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, Foto: KALLXO.com

Ish-ministri i Arsimit: Fakultete për çdo katun, kjo na ka sjellë këtë situatë

Ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, ka thënë se nëse kombet duan të shkojnë përpara, duhet të lartësojnë çështjen e arsimit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” në të cilin është diskutuar për dështimin në testin PISA, ka shtuar se ndryshimet duhet të bëhen në të gjithë politikat e arsimit.

“Duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor në të gjitha strukturat që merren me çështjen e arsimit, nuk është çështje e vetëm një individi apo dy. Mendoj se duhet të bëhet një task-forcë e arsimit që Qeveria e Kosovës duhet ta ndërtojë atë dhe me e pa se ku janë brezat e tonë dhe kah po shkojnë ata” – tha Osmani.

Ai tutje pati kritika edhe për kolegjet private.

“Ne kemi krijuar fakultete nëpër krejt katunet, kushtimisht po e them, kemi hapur institucione private të biznesit më të ndytë që ekziston në Europë, ministrja e Finlandës thotë që arsimi nuk është çështje e biznesit, nuk është biznes, s’ka private” – thotë tutje ai.

Si zgjidhje për këtë ai e përmendi edhe testimin e mësimdhënësve.

“Jo t’i qesim nga puna, por t’i trajnojmë, t’i testojmë sepse ata po e përgatisin nxënësin. Duhet me e pa se ku janë arritjet e reja tash. Ndonëse ata po rezistojnë me u vlerësu (mësimdhënësit), nuk janë shteti, ata janë në shërbim të shtetit, janë në shërbim të publikut, shkolla nuk është shtëpi private, e as e arsimtarit e as e drejtorit të shkollës” – tha Osmani.

Testi PISA 2022 është mbajtur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6027 nxënës 15-vjeçarë, nga 229 shkolla.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Në vitin 2018, Kosova është ranguar e treta nga fundi i listës së rezultateve, nga 79 shtete pjesëmarrëse. Me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte 347 pikë, në matematikë 362 dhe në shkencë 378 pikë.

Çka është PISA dhe cili është këndvështrimi i saj për Kosovën?