Hoxha tregon se çfarë rrugë përdori grupi terrorist për të hyrë në Banjskë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka rrëfyer në KallxoPërnime se çfarë rrugë u përdorën nga grupi terrorist për të hyrë në Banjskë më 24 shtator kur ndodhi sulmi ndaj Policisë së Kosovës.

Hoxha thotë se nuk është përdorur rruga kryesore prej pikës kufitare të Serbisë që vjen drejt në Banjskë, por kanë hyrë nëpërmjet një përroske të lumit, e cila sipas drejtorit ka qenë dy-tri kilometra më poshtë  rrugës së asfaltuar.

“Policia e Kosovës nga koha kur ka ndodhë kidnapimi i policëve tanë në afërsi të Leposaviqit, ne jemi tërhequr pak në thellësi të territorit për shkak të evitimit të konflikteve apo incidenteve të mundshme, mirëpo patrulla gjithmonë qëndron në rrugën e Izvorit qoftë pak më afër apo më larg. Ajo çka dijmë ne deri më tash, rruga kryesore prej nga pika kufitare e Serbisë që vjen drejt nëpër rrugën e asfaltuar që vjen në Banjskë nuk është përdorur për kalimin e tyre, më poshtë, dy-tri kilometra më poshtë është një përroskë e lumit dhe dyshojmë që kjo ka qenë rruga. Është një rrugë për skaj të kësaj përroske dhe kjo është një rrugë që është përdorë nga ky grup deri sa kanë arritë në Banjskë” – ka thënë Hoxha.

Drejtori thotë se Policia nuk ka mundur të vërejë grupin terrorist për shkak se rruga ka qenë në thellësi, ka qenë natë dhe të njëjtit kanë lëvizur pa drita.

“Është rrugë e paasfaltuar, rrugë e malit por që këta xhipat kanë mund të kalojnë pa ndonjë problem. Policia nuk ka mund t’i vërejë për shkak se është kogja në thellësi, ka qenë natën, kanë lëvizë pa drita”- shpjegoi ai.