Paraburgim për të dyshuarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në Han të Elezit

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.B., i dyshuar për veprën penale – nxitja, përçarja dhe mosdurimi.

Sipas njoftimit nga Gjykata, i dyshuari fillimisht më 28 dhjetor gjatë natës në Han të Elezit me dashje dhe publikisht ka përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, racore, fetare ose etnike, duke printuar disa afishe me përmbajtje fetare rreth festës së Vitit të Ri.

‘’Fillimisht siguron materialin adekuat pastaj në shtëpinë e tij përgaditë, dizajnon dhe printon afishet të formatit A4 me përmbajtje: “Viti i Ri nuk është festë e jona mos festo festa e jo muslimanëve”. Në mes është bredh i gjelbërt i stolisur me drita dhe një X ngjyrë e kuqe, poshtë afishes: “Nuk është prej nesh ai që u përngjanë të tjerëve përveç neve, mos u përngjani çifutëve dhe krishterëve”, (Hadith)’’ – e ka përshkruar Gjykata veprën e të pandehurit.

Më tej, Gjykata thotë se i pandehuri i ka shpërndarë disa prej këtyre afisheve personalisht, ndërsa disa të tjera ia ka dhënë dy të miturve, të cilët më pas i kanë shpërndarë në Hanit të Elezit.

‘’Poashtu disa afishe i ka shpërndarë afër xhamisë në Kaçanik si dhe nga këto motive edhe ka dëmtuar bredhin e vendosur në sheshin e qytetit duke i`a vënë flakën’’ – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.