Imami nga Hani i Elezit shpjegon qëndrimet e Bashkësisë Islame rreth festimit të Vitit të Ri

Musa Vila, kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës në Han të Elezit, ka treguar qëndrimet e BIK-ut rreth festimit të Vitit të Ri.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Vila ka thënë se secili imam e ka përgjegjësinë e vet se çka ligjëron dhe çfarë teme duhet të zgjedhë.

“Politika e BIK-ut është me e zgjedhë një rrugë e cila është objektive as kah ekstremizmi mos me anu, as nga ana liberale tepër mos me anu, pra të jemi në një rrugë mesatare e cila e mban atë ekuilibrin në popull por edhe e ruan autoritetin dhe dinjitetin e vet. Nuk është puna të merremi se a ta festojmë apo mos ta festojmë Vitin e Ri, le të mbetet çështje familjare, e individëve të caktuar, kush do e feston, kush s’do mos ta feston” – ka thënë Vila.

A mbahen ligjërata në xhaminë ku ligjëron Vila kundër Vitit të Ri?

“Jo, ne kur kemi këso raste. Është shumë e vertetë që reagojmë si kjo që ndodhi në xhaminë e “Mati 1”, por ne kurrë nuk reagojmë për njerëzit që i kanë koontribu paqes, kemi xhami që kanë nxjerrë gjenerata që nuk kanë pasur probleme, e kurrë askush s’ka thënë qe një mirënjohje për këtë që p.sh. dikush ka qenë mësues i mirë. Tash reagon opinioni” – tha Vila.

Ai ka thënë se nëse ajo ligjeratë e mësueses në xhaminë e “Matit 1” i ka shqetësuar prindërit, atëherë këta të fundit duhet të reagojnë.

“Nëse ata ndihen keq le të reagojnë, nëse ata nuk ndihen keq, atëherë këta i takojnë atij grupi që nuk dojnë ta festojnë Vitin e Ri. BIK-u kurrë nuk ka nxitur që të mos flitet për këtë festë, këtë rast e shoh më shumë sporadik, e njoh atë mësuese dhe mund të ketë qenë një lëshim sepse kush punon edhe gabon” – tha Vila.

Ndërsa, Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se problemi qëndron që postimi i xhamisë së “Matit 1” në faqen në Facebook ende nuk është fshirë.

“Problemi qëndron që ajo mësuese nuk ka kërkuar që të fshihet ai postim në Facebook, edhe pse ka reaguar BIK-u i Prishtinës në një formë bukur të modernizuar, postimi vazhdon të jetë në faqen në Facebook edhe njerëzit janë duke e parë atë gjë. Kjo është motivim kundër atyre që e festojnë Vitin e Ri, me i thanë fmisë shko thuj babës që sduhet me festu është motivim, me i thanë fëmijës shko argumentoje te baba e te nana pse s’duhet të festohet Viti i Ri, prap është motivim, BIK edhe pse është distancuar postimin nuk e ka fshi”, – tha thënë Gashi

Problem tjëtër sipas Gashit qëndron edhe fakti që BIK-u nuk ka bërë asnjë postim në rrjete sociale që është distancuar nga ky veprim i mësueses në xhamninë e Matit 1.

“Deklaratat janë shumica në telefona, gazetarët që i kanë thirrë janë interesu edhe kanë insistu, problemi qëndron brenda institucionit të BIK-ut, që është dashur qartë me thanë mesazhin”, – tha Gashi.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ku ka thënë se është distancuar nga aktiviteti që u zhvillua në një xhami në Prishtinë, më 31 dhjetor, kur fëmijëve u ishte dhënë detyrë të mendonin për mënyra se si t’i bindin prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri.

Për këtë aktivitet, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës ka thënë se do ta intervistojë imamin e xhamisë “Mati 1”, Fadil Musliu.

https://kallxo.com/lajm/bik-detyra-per-femije-kunder-festimit-te-vitit-te-ri-gabim-qe-nuk-duhet-perseritur/