Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drita Hajdari për nevojën e një prokurorie për krime lufte: Aktualisht punojmë me një hetues për rajon

Udhëheqësja e Departamentit për krime të luftës në Prokurorinë Speciale, Drita Hajdari, ka komentuar deklarimin e gazetarit Kreshnik Gashi për krijim të një prokurorie speciale që do hetonte krimet e luftës në Kosovë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” u shpreh se janë vetëm 17 policë që merren me trajtim të krimeve të luftës dhe për rajone si Gjakova e Drenica, ku ka shumë masakra, është nga një hetues.

“Janë 17 policë që merren me trajtim të krimeve të luftës, prej tyre katër janë eprorë, 13 hetues që punojnë direkt në hetim të rasteve. Tani imagjinoni për rajonin e Gjakovës ku janë kryer gjithë ato krime. Pra në rajon të Gjakovës, Pejës, Drenicës është i caktuar nga një hetues”- deklaroi Hajdari.

Hajdari shtoi se Qeveria duhet të merret me këtë problem pasi prokuroria nuk mund të punojë pa policë.

“Në këtë situatë, përse dikush nga Qeveria nuk merret me këtë problem, pse kryeministri nuk e pyet ministrin e Punëve të Brendshme për numër të policëve që janë vetëm 17, pasi prokurorët nuk mund të punojnë pa policë. E gjithë barra dhe faji ka rënë te prokurorët dhe askush nuk na pyet se në çfarë kushte punojmë”- shtoi ajo.

Drita Hajdari po ashtu potencoi se në sektorin për krimet e luftës kanë dërguar policë të ndëshkuar nga sektore të tjera për mospërmbushje të detyrave.