Drejtori i Radiologjisë tregon si arritën ta shkurtojnë listën e pritjes së pacientëve
Lista e pritjes në Radiologji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është zogëluar dukshëm nëse krahasojmë me dy vite më parë.
Në vitin 2018 drejtimin e Klinikës së Radiologjisë në QKUK e mori radiologu, Bujar Gjikolli.
Ai sonte në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar sfidat me të cilat është përballur në fillimet e tij si udhëheqës i një klinike, e cila punonte me vetëm një aparat për shërbime radiologjike dhe lista e pritjes së pacientëve ishte mbi një vit.
“Kur e kemi marrë (mandatin) ai vit është përmbyllë me 5 mijë e 823 rezonanca gjatë tërë vitit, vitin 2019 e kemi përfundu me mbi 9 mijë e 800 shërbime, vitin 2020 me mbi 11 mijë e 300 ndërsa 2021 deri në fund të nëntorit ne i kemi 11 mijë e 477 rezonanca”, rrëfen ai.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2021 pas kërkesës së tij, Radilogjisë iu shtua edhe një aparaturë për shërbime radiologjike dhe rrjedhimisht kjo klinikë u bë me dy aparatura.
Sfida më e vështirë për të ka qenë ulja e listës së pritjes e për të cilën ai sqaron se është dashur të marrin një vendim dhe të bëjnë hapat e duhur në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë situata e listës së pritjeve dhe pacientët të mos presin mbi 12 muaj për të marrë shërbime radiologjike.
Pacientët filluan të thirren për shërbime, lista filloi të ngushtohet në momentin kur i gjithë ekipi i mantelbardhëve në krye me vetë Gjikollin filluan të punojnë edhe pas orës 19:00, gjatë fundjavave dhe gjatë festave.
“Me ekipën u dakorduam që të punojmë edhe mbrëmjeve. Filluam të punojmë nga ora 19:00 në mbrëmje nga pesë pacientë, për çdo ditë nga pesë pacientë edhe fundjavave dhe festave nga 10 pacientë dhe filluam t’i “shkrijmë” fletoret (listën e pritjes)”, rrëfen ai, duke shtuar se për këtë gjë kanë marrë mbështetjen e ish-drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.
Ky i fundit ishte dakorduar që i gjithë stafi të merrni pagë shtesë për punën e bërë.
Lista e pritjes për një rezonancë magnetike sot për pacientë ambulantorë është gjashtë deri në shtatë muaj.
Në Klinikën e Radiologjisë detektohen sëmundjet pa e hapur trupin e njeriut, por përmes aparaturave mjekët mund të arrijnë të shohin detajisht brenda trupit të njeriut e përmes së cilës bëhet diagnostifkimi i sëmundjes.