Një vit pritje për të caktuar termin në Logopedi në QKUK - VIDEO

Prindërit duhet të presin deri në një vit për të caktuar një termin për të kontrolluar fëmijën te logopedi në Klinikën e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë – QKUK.

Lista e pritjes numëron 340 vetë në pritje, përderisa në klinikë punojnë tre logopedë dhe një defektolog.

Logopedi është profesionisti i cili bën vlerësimin, diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e çrregullimeve të komunikimit, të zërit, të gëlltitjes dhe jo vetëm.

Hulumtuesja e KALLXO.com, Vlera Shabani ka bërë një test duke shkuar në këtë klinikë për të caktuar një termin dhe ka marrë përgjigjen se duhet pritur deri në një vit.

Në të njëjtën kohë, një prind ka shkuar aty për të marrë të njëjtin informacion. Ai befasohet dhe shprehet i revoltuar me përgjigjen që merr.

“Kur t’ma bullizojnë fëmijën, kur t’ma detyrojnë fëmijën, mu nuk më vyen as 1 vjet as 20 vjet” – janë fjalët e tij pasi që merr këtë përgjigje.

Këtë bisedë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Recepsionistet tregojnë se kjo listë është e gjatë për shkak se këta fëmijë kërkojnë trajtim të vazhdueshëm, secili mban nga dy ose tri seanca për cdo javë.

Në këto raste prindërit detyrohen që të shkojnë nëpër klinika private. Sipas të dhënave në terren, çmimi i seancave për një muaj është rreth 100 euro.

Shefja e Logopedisë në QKUK, Zahide Uka – Rraci në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com thotë se arsyeja pse lista e pritjes është kaq e gjatë është për shkak se kjo është adresa e vetme publike në Kosovë për të marrë këtë shërbim, përderisa kërkesat janë të shumta.

Ajo thotë se tash e sa kohë në koordinim me drejtorinë e ORL-së dhe ShSKUK-në janë duke punuar në hartimin e një rregulloreje për të klasifikuar rastet sipas prioriteteve dhe problematikave, që kërkojnë intervenim sa më të hershëm.

Gjatë bisedës mes gazetares dhe recepsionistes, kjo e fundit thotë se ardhja e dy logopedëve të rinj nuk ka ndikuar në listën e pritjes.

Por, të kundërtën e thotë Uka – Rraci.

“Ardhja e logopedëve të rinj e ka zvogëluar dhe lehtësuar punën tonë në masë të madhe duke i kontribuar automatikisht zvogëlimit të rasteve” – u shpreh ajo.

Shtimin e logopedëve, shefja e konsideron të domosdoshëm prandaj tha se janë duke e përpiluar kërkesën për këtë.

“Numri i fëmijëve që marrin shërbim brenda ditës në shërbimin e logopedisë brenda një dite është 32 fëmijë, në dy grupe të ndara, shto këtu edhe vlerësimet dhe këshillimet me pindër e fëmijë që nuk janë duke u trajtuar” – shtoi ajo.

Këtë punë e bëjnë 3 logopedë dhe një defektolog, sa janë gjithsej.

Fëmijët me çrregullimet e lartpërmendura, jo rrallëherë janë caqe të bullistëve.