Zemaj - Vitisë: Përshtypja për SHSKUK-në, vrull i kapjes së pozitave nga militantët

Mbledhja e sotme e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ishte e mbushur me kritika të opozitës ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia i cili nisi mbledhjen me një raportim të punëve që Ministria ka bërë deri më tani, iu përgjigj kritikave të opozitës.

Lista e pritjeve për shërbime, Sistemi Informativ Shëndetësor, strategjia për shëndetësinë, politizimi i pozitave, legjislacioni për shëndetësi, furnizimi me barna esenciale janë disa prej temave që u diskutuan sot.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së tha se përshtypja për SHKSUK-në është se një vrull i jashtëzakonshëm për kapjen e pozitave nga militantë politikë ka bërë që të ketë edhe dobësim të shërbimeve.

“Logjika më e pakuptimtë ka qenë, vendosja e sekretarit permanent si drejtues i bordit të SHSKUK-së. Mendoj se ky mish-mash është i llojit të vet, kush kujt i raporton. Kryesuesi i bordit a i raporton vetvetes, juve, qeverisë? Kryesuesi i bordit e emëron veten si kryetar të komisionit për përzgjedhjen e drejtorit. Domethënë është një përzierje e kompetencave” – u shpreh Zemaj.

Kjo, sipas tij tingëllon si lloj kontrolli apo kapje klasike e institucionit.

Vitia nuk e pranoi këtë deklaratë dhe tha se asnjëherë nuk ka pasur më pak militantë politikë në strukturat e SHSKUK-së.

“Kjo ka qenë një dukuri për dekada, që drejtorët e klinikave kanë qenë edhe deputetë për parti të ndryshme. Për ironi të fatit, tre të tillë, që janë drejtorë në SHSKUK, nuk janë nga LVV por janë nga partitë e tjera” – tha ministri.

Një pikë ku u pajtuan pozitë e opozitë ishte gjendja e keqe e legjislacionit për shëndetësi.

Zemaj tha se në tre vite të kësaj qeverie, vetëm një ligj për shëndetësinë është miratuar në lexim të parë dhe ai është bërë me përkrahjen e opozitës.

“Jemi keq me legjislacion. Disa prej ligjeve bazë të shëndetësisë që është dashur të mbarojnë 7-8 vite më herët. Nuk janë mbaru, tash po i mbarojmë ne” – tha ndër të tjera Vitia.

Ministri tregoi se janë në fazën finale të miratimit të strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2023-2030, i cili parasheh reformimin dhe zhvillimin e shëndetësisë dhe reflekton prioritetet e qeverisë për këtë sektor.

Në fazën finale është edhe studimi i fizibilitetit për Sistemin Informativ Shëndetësor.

Edhe për këtë temë kishte kritika nga opozita. Zemaj pyeti ministrin se cila është kërkesa për llogaridhënie nga personat kompetentë për shpenzimin e miliona eurove për këtë sistem.

“Sa i përket SISH, jam dakord me ju, duhet të kërkohet shumë llogari. Nga 2011- investime për SISH, dhe pa asnjë rezultat. E gjatë kësaj kohe, vetëm ministra të VV-së nuk ka pasur” – u përgjigj Arben Vitia.

Vitia shtoi se është hera e parë që me këtë studim fizibiliteti po vendoset baza për SISH.

Përderisa ministri u mburr duke thënë se në QKUK janë shkurtuar listat e pritjeve për shumë shërbime, Bekim Haxhiu nga PDK kishte tjetër mendim.

Ai tha se për disa shërbime që në vitin 2020 nuk ka pasur lista të pritjes, ose ka qenë lista të shkurta, tani ato janë më të gjata.

Për këtë, Vitia tha se mungesa e hapjes së specializimeve për 6-7 vite, ka ndikuar në mungesën e anesteziologëve gjë që ndikon edhe në listat e pritjeve.

Pasi që ministri tregoi se lista më e gjatë është në Klinikën e Ortopedisë për proteza të gjurit, deri në dy vite, kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku nga LVV tha se është e pakuptimtë dhe e paqartë pse ky shërbim nuk ofrohet edhe në spitale rajonale.

Sipas saj, kjo mund të bëhet lehtësisht, pasi që ka aparatura, por nuk ka profesionistë dhe do të ndikonte në shkurtimin e listës së pritjes.

Mungesa e anesteziologëve, u përmend disa herë nga anëtarët e komisionit. Madje, i pyetur nga Haxhiu se pse në Spitalin e Pediatrisë në QKUK nuk punojnë të katër sallat e operacioneve, por vetëm njëra vazhdimisht dhe tjetra herë pas here, ministri tha se kjo ndodh për shkak se nuk ka mjaftueshëm anesteziologë.

I kritikuar për mungesë të investimeve kapitale, Ministri i Shëndetësisë, Vitia tha se pandemia ka ndikuar në këtë.

“Ne po harrojmë që dy vitet e para kanë qenë me Covid, dhe kush më mirë se ju e dini që gjatë asaj kohe ka qenë e pamundur të ketë investime kapitale” – tha Vitia drejtuar Zemajt, i cili ka qenë po ashtu ministër i Shëndetësisë, gjatë një periudhe kur Covid-19 ka qenë shumë prezent.

Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta kërkoi përgjigje nga ministri lidhur me statutin e SHSKUK-së. Ai pyeti se pse ende nuk është ndryshuar ky statut, që ta parasheh edhe një drejtor të QKUK-së.

“Është shqetësuse që SHSKUK ka ngec në hartimin e dokumenteve bazike, siç është edhe organogrami” – tha Shkreta.

Vitia tha se statutet e SHSKUK-së dhe QKUK-së janë duke u ndryshuar dhe duke u plotësuar. Siç tha ministri, ato do të vijnë në javën e ardhshme dhe do të procedohen.

Shkreta u interesua edhe për mosekzistimin e një liste të shërbimeve të cilat i ofron SHSKUK.

Ministri tregoi se kjo listë është në proces e sipër dhe se disa klinika i kanë hartuar e disa ende.

Lidhur me Ligjin për Sigurime Shëndetësore, Vitia tha se është në proces plotësimi dhe ndryshimi i tij dhe kjo po diskutohet me ekspertë.

Vlera preliminare e borxhit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, siç tha Vitia është mbi 29 milionë euro. Për këtë borxh, ai theksoi se është i trashëguar.

Lidhur me këtë, Arben Vitia tha se Plotësim ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike është në fazën finale dhe është themeluar komisioni për verifikimin e detyrimeve të fondit.

Janë verifikuar rreth 2/3 të lëndëve dhe për disa raste ka filluar pagesa e tyre.

Sipas raportit të SHSKUK-së, Ministri i Shëndetësisë tha se në javët e fundit, furnizimi me barna esenciale arrin në 90%.