Çfarë plani ka Komuna e Prishtinës për efiçiencën e energjisë?

Shyhrete Abazi-Osmani, zyrtare për energji të efiçiencës në Drejtorinë e Urbanizimit, në Komunën e Prishtinës në emisionin e “Kallxo Përnime” ka folur për planet e kryeqytetit qe lidhen me efiçiencën e energjisë.

Sipas saj, është duke u punuar një rregullore komunale, përmes së cilës do të specifikohen kërkesat e përformancës së energjisë në ndërtesa.

“Aktualisht ne jemi duke punuar një rregullore komunale që do të prezantohet në Kuvendin Komunal shumë shpejtë, e cila do të kërkojë që t’i specifikoj kërkesat e përformancës së energjisë në ndërtesa dhe besoj që ky do të jetë një hap i rëndësishëm në të cilin ne do të dimë se cilat masa të efiçiencës së energjisë do t’i përdorin në projektet e tyre, ndërtesat e reja të cilat po ndërtohen, kryesisht ndërtesat rezidenciale”, ka thënë ajo.

Mirëpo, e njëjta ka shtuar se deri më tani nuk është dhënë ndonjë standard për ndërtim të ndërtesave rezidenciale.

“Në Komunën e Prishtinës janë kryesisht kërkesa për renovimeve, puna jonë është direkt e lidhur me Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë që monitoron komunat e Kosovës në zbatimin e planeve për efiçiencë”, ka shtuar Abazi-Osmani.

Tutje ajo ka treguar se tash për tash, kryeqyteti ka një plan, i cili është i miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës e që është i vlefshëm nga 2019-ta deri në 2022-ën.

Pra, është një plan tre vjeçar që në vete përmban ndërtesat që janë publike dhe që i nënshtrohen procesit të renovimit.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit Menaxhues në Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), Naim Bujupi, ndërtesat e sektorit rezidencial janë ato që nuk qëndrojnë mirë në pjesën e efikasitetit të energjisë.

“Unë mendoj që ndërtesat publike qëndrojnë mjaftë mirë në pjesën e efikasitetit të energjisë, mirëpo që nuk qëndrojnë mirë janë ndërtesat e sektorit rezidencial, e që fokusi duhet të jetë aty”, ka thënë ai.

Bujupi ka shtuar se për momentin nuk mund të implementohet ndonjë projekt që në fokus ka ndërtesat rezidenciale para se të përfundoj ai i ndërtesave publike, e gjë që pritet të ndodh vitin e ardhshëm.