Ambasadori gjerman për Radoiçiqin: Dikush po mundohet t’ia vë gjithë fajin atij

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri, ku si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës mbeti i vdekur, rreshteri Afrim Bunjaku.

Për këtë sulm mori përgjegjsinë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Rohde në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” javën e kaluar ka thënë se mendon që dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi Radoiçiqin.

“Po, edhe unë e pashë që ai [Millan Radoiçiq] ka dhënë dorëheqjen si zëvendëskryetar i Listës Serbe. Dua të them, shumë nga këto zhvillimi janë absurde. Unë mendoj se dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi të [Radoiçiq]. Ne mund të mos e kuptojmë kurrë për krejt atë që ka ndodhur në prapavijë, por është e qartë për mua se po të ishte sukses (ky aksion) atëherë suksesi do të kishte shumë baballarë apo prindër, e faji (apo dështimi) gjithmonë mbetet jetim”- ka thënë ambasadori gjerman.

Ai ka shtuar se për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duhet të bëhet një hetim i plotë për të qartësuar shumë gjëra.

“Ajo që është e qartë tani është se ka ndodhur një sulm i tmerrshëm dhe vrastar dhe një polic u vra dhe kjo do të thotë se më nuk mund të vazhdojmë aty ku kishim mbet para këtij incidenti, e të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Duhen të kërkojmë përgjigje, duhet të bëhet një hetim i plotë që shpresojmë që do të qartësojë shumë gjëra. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, tha tutje ambasadori gjerman.

Ai ka thënë gjithashtu se ky ishte një sulm dhe komuniteti ndërkombëtar menjëherë reagoi.

“Të gjithë e kanë dënuar këtë sulm. Ajo që kishte ndodhur më parë ishte një zhvillim politik dhe ne kemi reaguar edhe ndaj tij. Dua të them se tash më nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse kur ke transportues personal të armatimit, raketahedhës, granata dore, sulm të stilit ushtarak pra një sulm në territorin e Kosovës, ky është një sulm i drejtpërdrejtë kundër integritetit të Kosovës dhe si i tillë edhe duhet të vlerësohet. NATO është përgjigjur, siç e dini, e ka shtuar praninë e saj, gjë që ndodhi dje dhe ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën për së afërmi. Ajo që është për të bërë të ndihesh rehat, i qetë e i sigurtë, dhe këtë e kanë thënë të gjithë, është reagimi i Policisë së Kosovës që ishte shumë profesional dhe në koordinim të ngushtë me shërbyesit ndërkombëtarë të sigurisë, KFOR-in dhe EULEX-in”, ka thënë Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se qëndrimi i shtetit gjerman për sa i përket sovranitetit të shtetit Kosovës nuk ka ndryshuar.

Ai ka thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-i të marrë nën kontrollë veriun e Kosovës.

“Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë ambasadori Rohde.

Rohde ka shtuar se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës që të veprojë KFOR-i apo EULEX-i, ata do të veprojnë sipas rregullave.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

https://kallxo.com/lajm/rama-kfor-i-duhet-te-marre-ne-kontroll-veriun-e-kosoves/

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur homologut të tij shqiptar, Edi Rama, pas deklaratave se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga.ba” ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

https://kallxo.com/lajm/kurti-i-pergjigjet-idese-se-edi-rames-qe-kfor-i-te-marre-nen-kontroll-veriun-e-kosoves/

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka lavdëruar punën dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime, ka thënë se Policia e Kosovës ka trajtuar me shumë profesionalizëm situatën në Banjskë të Zveçanit.

“Ne e kemi lavdëruar Policinë e Kosovës për trajtimin profesional të situatës. Nuk e shoh nevojën që KFOR-i të marrë përsipër këtë, sepse ne kemi një shtet sovran me një institucion të zbatimit të ligjit që ka vepruar shumë profesionalisht”, tha ai

Ai ka shtuar se nuk është i vetmi që ka arritur në këtë përfundim sipas tij kjo u përmend publikisht edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, z. Stano.

“Unë personalisht kam folur me kreun e Policisë, me komandantin e KFOR-it dhe të gjithë kanë thënë se ky është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe i mirë dhe duhet të vazhdojë si i tillë. Dua të them, sot në mëngjes ne folëm me Presidenten dhe unë gjithashtu përsërita se ky ishte një bashkëpunim i mirë dhe duhet të vazhdojë kështu, e veçanërisht në kohë të vështira, miqtë duhet të qëndrojnë krah njëri- tjetrit”, ka thënë ndër tjerash ambasadori Rohde.

Përderisa në përgjigje të tensioneve të fundit në veri të Kosovës, NATO ka vendosur të rrisë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Përballë tensioneve të fundit në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, NATO para pak ditësh mori vendim të rritë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

https://kallxo.com/lajm/tensionet-ne-veri-kfor-i-rrite-pranine-me-trupa-britanike/

Ambasadori gjerman ka folur edhe për  dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku tha se ka stagnuar se duhet të rifilloj.

“Ne do ta rivlerësojmë situatën, ne presim që Kosova të bëjë atë që kemi thënë. Ne presim që edhe Serbia ta bëjë këtë. Duhet parë edhe ambientin politik. Ne kemi një Samit të Procesit të Berlinit pas dy javësh. Aktualisht dialogu ka stagnuar dhe ne duam ta rifillojmë atë. Të hënën e kaluar, siç u pa nga lajmet, këshilltarët politikë të SHBA-së, Italisë, Gjermanisë, Francës u takuan me Lajçacun për ta rifilluar dialogun dhe kjo është duke vazhduar. Ne duam një zgjidhje politike sepse nuk ka rrugëdalje ushtarake”, ka thënë ambasadori

I pyetur nëse do të takohet me Rakiqin, që tani është përfaqësues i Listës Serbe e që ishte afër aksionit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ambasadori gjerman ka thënë se do të takohet me çdo akter të politik në Kosovë.

“Por unë takohem normalisht me çdo akter politik të këtij vendi, opozitë, qeveri dhe kemi pasur shumë takime gjatë kësaj jave”, tha Rohde.