Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama: KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar që pas zhvillimeve të fundit dhe sulmit terrorist në Bansjkë të Zveçanit më 24 shtator, për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

Në një konferencë për media, të mbajtur sot për çështjen e Kosovës, Rama tha që kjo ka qenë kërkesë e tij e kahmotshme.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë edhe në Samitin e NATO-s, e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse”- tha ai.

“Tani çdo hezitim dhe çdo vonesë ndërlidhet me argumentin e orëve të fundit jo kemi jo s’kemi mjaftueshëm trupa. Mund ta bëjë larg qoftë ndërhyrjen e nesërme të KFOR shumë më të madhe në trupa por edhe në vështirësi”- theksoi ai.

Rama ka thënë se edhe Kosova dhe Serbia nuk kanë kundërshtuar vendosjen e KFOR-it në veri.

“Prandaj jam këtu sot, dhe më vjen mirë, që këtë tani më e kërkon edhe Kosova, KFOR-in në veri, nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë edhe Serbia madje disa zëra e kanë kërkuar edhe pala serbe. Sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon, këtë e kërkon situata sot”- shtoi ai.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit që të martën ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

“Përsërita qëndrimin e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së Kurtit”- kishte thënë mes tjerash Vuçiq.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aleksandar Vuçiq takon ambasadorët e QUINT-it në Serbi