
A rrezikon Ligji për konfiskim të pasurisë të rrëzohet nga Kushtetuesja?
Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për reformën në drejtësi, me theks të veçantë rreth hartimit të Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që edhe ky Ligj, sikur ai për KPK-në, të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse rrezikon të komprometohet roli i Avokatit të Popullit, atëherë mund të aplikohet edhe logjika e njëjtë sigurisht edhe te Ligji për konfiskimin e pasurisë. Por, sigurisht që në këtë fazë nuk mund të paragjykojmë” – ka thënë Leposhtica.
Ai ka folur edhe për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin tha se të gjithë e kanë mirëpritur draftimin e këtij Ligji në formën se si është.
“Një nga versionet paraprake ka qenë që përbërja e anëtarëve me qenë në favor të anëtarëve joprokurorë dhe pas opinionit të Komisionit të Venecias kemi ardhur në këtë format” – ka thënë më tej Leposhtica.
Ai ka kritikuar partitë politike që nuk kanë dhënë mendime juridike sa i përket Ligjit.
Ndryshe nw fillim tw shkurtit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ligji ka marrë përkrahjen e 66 deputetëve.
Lidhja Demokratike i ka dhënë mbështetjen këtij Ligji, duke theksuar që i njëjti nuk do të merret me ata që mezi mbijetojnë por me ata që drejtësia i ka harruar.
https://kallxo.com/lajm/miratohet-ligji-per-byrone-e-konfiskimit-te-pasurise-se-pajustifikueshme/