Ligji për kontrollin e duhanit; Fotografi ilustruese; KALLXO.com

A po respektohet ligji për kontrollin e duhanit?

Më 7 maj 2013 Kosova kishte miratuar ligjin që ndalonte pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura, por të gjithë e pranuan që nuk po respektohej ky ligj.

Madje duhani vazhdoi të konsumohej edhe nëpër institucione publike, në Kuvend, Qeveri, etj.

Tash në vitin 2023, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik është propozuar formimi i këtij këshilli.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, parandalimitm vetëdijësimit dhe edukimit të shoqërisë mbi efektet e dëmshme të duhanit, është propozuar formimi i këtij Këshilli. Siç e ka poterncuar edhe ministri Peci gjatë inspektimit të muajve të fundit do të ketë zero tolerancë ndaj pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura”- tha Kurti.

Qeveria formon Këshill Ndërministror për Kontroll të Duhanit

Muajin e fundit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte marr aksione për respektimin e këtij ligji.

Një hulumtim të cilin e ka realizuar stafi i KALLXO.com, pjesë e të cilit ishte një vajzë 12-vjeçare, tregon që shitësit nuk e kanë problem t’u shesin cigare fëmijëve.

12-vjeçarja kishte blerë pako të cigareve pa e pyetur askush për moshën.

Për më pak se gjysmë orë ajo ka frekuentuar 15 lokale në kryeqytet dhe vetëm 5 nga to nuk i kishin shitur asaj cigare pasi që e ishte e mitur.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diksutua rreth ligjit për kontrollin e duhanit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se është vullnet i gjithë qeverisë që të ndalohet pirja e duhanit në ambiente të mbyllura si dhe shitja e tij për persona nën 18-vjeç.

Ai ka folur edhe për shitjen e duhanit fëmijëve, duke thënë se këto veprime dhe iniciativa duhet të jenë të koordinuara.

“Hallka duhet ndjekur hallkën në proces të evitimit të gjitha shkeljeve ligjore. Dmth. shkelje ligjore është me i shit fëmijës nën 18 vjet duhan, qoftë me pako apo me copë. Ajo që mund të them është që çështja e inspektimeve është pjesë e angazhimit të kësaj Qeverie, madje edhe buxhetin kur e kemi bërë mes tjerash është theksuar që çështja e numrit të inspektorëve është problematike” – tha Peci.

Peci, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se numri i inspektorëve do të rritet.

Ai ka shtuar se rreth 20 inspektorë shtesë do të rekrutohen në Ministrinë e Bujqësisë ku përfshihet edhe AUV-i.

“Në kuadër të buxhetit dhe organogramit të aprovuar, diku i kemi mbi 20 nëse s’gaboj, 27 janë nëpër agjenci të ndryshme brenda institucionit që unë drejtoj, kemi me i sistemu gjatë vitit 2023 për shkak të nevojave që ekzistojnë” – ka thënë ai.

Më tej Peci ka shtuar se ka inspektuar edhe punën në terren se sa po respektohet Ligji i duhanit, duke shtuar që nuk është i kënaqur me atë që ka parë.

“I kam inspektu unë inspektorët në mënyrën se si po i realizojnë inspektimet dhe me gjendjen që e kam parë në terren s’jam i kënaqur. Një numër i konsiderueshëm i inspektorëve e kanë një moshë bukur të shtyrë, e në disa qytete kam parë njëfarë familjarizimi që nuk është i lejueshëm dhe i dëshirueshëm mes mënyrës si komunikojnë inspektorët dhe afaristët” – tha më tej ministri i Bujqësisë.

Ai ka propozuar që të ketë rrotacion të inspektorëve.

“Gjysma e lokaleve në Ferizaj psh e respektojnë Ligjin në plotëni dhe gjysma tjetër jo. Njëri nga ata që më shoqëruan mua për të parë gjendjen tek ato vende që nuk respektohej ligji, u kërcënua në prezencë të Policisë ku në Ferizaj po thoshin që i zoti i lokalit ish njeri i fortë, dhe askush nuk po mundte t’i shqiptonte gjobën madje edhe inspektorët po hezitonin me shku” – tha Peci.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka thënë se gastronomët mund të llogariten si viktima të zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ai tha se megjithatë kanë qenë pro aksionit për kufizimin e konsumit të duhanit.

“Drejtoria e Urbanizmit të jep një lloj leje të caktuar se ku mund të konsiderohen hapësirat ku mund të konsumohet duhani por në anën tjetër, Udhëzuesit administrativ flasin diçka tjetër, dmth e rregullojnë ndryshe këtë kategori. Ka anomali të ndryshme të cilat krijojnë paqartësi edhe te bizneset. Por kjo fushatë nuk duhet të ndalet, për t’u rregulluar një herë e përgjithmonë” – tha Vranica.

Ai ka thënë se është reduktuar pirja e duhanit në gastronomi.

Arben Lila nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim ka thënë se kësaj here ka vullnet politik që të respektohet Ligji kundër duhanit.

“Ferid Agani ka pasur vullnet politik dhe dy vitet e para ligji është zbatuar. Ligji është për kontrollin e duhanit jo për ndalimin e tij. Qëllimi i Ligjit është me ndryshu sjellja, për shkak se një përqindje shumë e vogël e ndez sot duhanin në shtëpi, dalin në ballkon” – tha Lila.

Lila ka shtuar se vullneti politik ka rënë në momentin kur kishte rënë qeveria.

“Është interpretu që tash s’ka qeveri hajde tash ta shkelim ligjin, kërkush nuk na dënon dhe kjo ka filluar që nga viti 2015-16, tutje deri tash”, tha Lila.

Më tej ai ka shtuar se fushatat për këtë ligj kanë qenë të pakta.

“Qëllimi i ligjit është me ndryshu sjellja, e kemi ndryshu sjelljen nëpër shtëpitë tonë, askush se pi duhanin brenda”, tha Lila.

Ai ka sqaruar edhe për keqkuptimet që i kanë bërë bizneset me hapësirat gjysmë të mbyllura ku është lejuar deri më tash pirja e duhanit, e cila është konsideruar si hapësirë për duhan.

“Tavani duhet me qenë i hapur, nëse mbyllet tavani atëherë aty nuk lejohet, ka edhe rregulla më strikte nëpër vende të Evropës, psh duhet të jesh 1 metër e gjysmë larg lokalit që të ndezësh një cigare edhe pse është krejtësisht e hapur. Ne nuk e kemi këtë ne e kemi 50%, duhet të jetë e hapur, dmth nëse është komplet e mbyllur hapësira nuk lejohet pirja e duhanit. Keto anekset nëpër lokale terast komuna i ka dhënë leje që të shfrytëzohen për këtë qëllim”, tha Lila.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se inspektorët duhet të kuptojnë që respektimi i këtij ligji nuk varet vetëm nga vullneti i një ministri.

“I marr edhe  të shamet veç le të vetëdijësohemi si shoqëri për rëndësinë e respektimit të këtij ligji për shkak se është i rëndësishëm shëndeti publik”, tha Peci.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka thënë se edhe shtimi i numrit të inspektorëve që u bë tash nuk është i mjaftueshëm.

“Nuk kanë mundësi me i inspektu mbi 6 mijë biznese”, tha Vranica.

Adriatik Stavileci nga Doganat e Kosovës ka thënë se duhani është njëri nga produktet që sjell më së shumti të hyra buxhetit të Kosovës.

“Importi i duhanit vitin e kaluar ka pasur një rritje në krahasim me vitet e kaluara. Tash kemi një trend të quditshëm kohëve të fundit, cigaret elektronike. Në 2021 cigare elektronike kemi pasur diku në vlerë rreth 30 mijë euro e në vitin 2022, ka pas 2.6 milionë import të të njëjtit produkt i cili është më herët është importu në sasi shumë më të vogël”, thotë Stavileci.

Stavileci ka sqaruar se për këto cigare nuk paguhet akcizë.

“Kjo lloj cigare nuk klasifikohet si duhan vetëm nëse ndryshohet ligji mund ti futet akciza. Por nga akciza e duhanit mund t`ju themi që ne si dogana mbledhim rreth 200 milionë euro”, thotë Stavileci.

Ndërsa rreth kësaj akcize ka folur Arben Lila nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim, i cili tha se gjysma e këtyre mjeteve shkojnë për trajtimin e personave me kancer.

“Kjo është ideja e kontrollit të ligjit të duhanit, që t`i parandalojmë sëmundjet e kostot. Jemi duke punuar poashtu në parandalimin e promovimit edhe të cigareve elektronike, ku në shumë emisione me të madhe promovohen, e kemi ligjin që e parandalon promovimin e duhanit, i cili nuk respektohet”, thotë Lila.

E pse cigarja elektronike nuk trajtohet si duhan dhe nuk ka akcizë, ministri Peci ka thënë se ligji është ende në procedurë.

“Deri të vazhdosh ligjin në Kuvend është një procedurë. Pra kjo është ende në Kuvend, ndërsa kjo është çështje javësh. Kjo akcizë është parapraë në ndryshimin e ligjit”, thotë Peci.

Në vitin 2020 sa ishte kryetare e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani kishte thwnw se po vërehet tymi në sallën plenare që sipas saj po vjen nga salla prapa.

“Jeni duke e shkelë ligjin për duhanin. E ftoj publikisht inspektoriatin e MSH që të monitorojë këtë shkelje dhe t’i shqiptojë dënimet e merituara për ata që po e shkelin ligjin brenda ndërtesës së Kuvendit”, tha ajo.

 

Denoncimi i Vjosa Osmanit: Deputetët po pinë duhan brenda Kuvendit

Drenasi, komuna shembull për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura

Petrit Gashi, nga komuna e Drenasit ka thënë se qeveria pas 6 vitesh është bërë partner në ‘luftën’, anti duhan në hapësira të mbyllura.

“Në vitin 2017 ka filluar një fushatë sensibilizuese por edhe ndaljen e tërësishme të duhanit në hapësira të mbyllura. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse e kemi pasur vetëm një inspektore sanitare, por me bashkëveprimin e të gjitha institucioneve, kemi arritur që të ndalojmë duhanin nëpër hapësira të mbyllura”, thotë Gashi.

Ai ka treguar edhe numrin e gjobave ndër vite që nga 2017-ta.

“Në këtë vit kanë qenë 1638 inspektime, ku 38 kanë qenë jashtë orarit të punës ose gjatë vikendeve veç me një inspektore dhe janë shqiptuar 47 gjoba, në vitin 2018 kanë qenë 152 inspektime, janë dhënë 36 gjoba, në 2019, 131 inspektime, 13 gjoba, 2020, 36 inspektime, nuk ka pas gjoba për shkak të pandemisë, 2021, 37 inspektime, 32 gjoba, 2022, 27 inspektime dhe një gjobë mandatore”, tha drejtori i Inspektoratit në komunën e Drenasit.

Ndryshe ekipi i Kallxo.com ka dalë në terren në këtë komunë dhe ka vizituar 7 kafiteri që gjenden në afërsi të sheshit të Drenasit, ku vetëm dy prej të cilave e kanë pasur të ndaluar pirjen e duhanit.

Në 5 të tjera janë parë qytetarët duke pirë duhan edhe në pjesën ku supozohej të ishte i ndaluar duhani.

Drejtori në këtë komunë, Petrit Gashi, ka thënë se nuk kanë inspektorë sanitar.

“Inspektorët sanitar kanë kaluar në AUV, jo vetëm Drenasi por inspektorët e të gjitha komunave kanë kaluar në këtë agjenci. Dhe ata e kanë për detyrë në mënyrë rotacionale me inspektu në secilën komunë”, ka thënë Gashi.

Ministri Faton Peci ka thënë se numri i kërkësave për inspektime është shumë i madh.

“Është vështërsi e madhe që me 50 inspektorë me mbulu krejt territorin e Kosovës në rast se brenda ditë vijnë mbi 200-300 kerkesa për inspektime në lokale të ndryshme që në aspektin gjeografik nuk mundesh me i përmbledh”, tha Peci.

Ai shtoi se janë duke tentuar që të bëhet një rrotacion që të inspektohen të gjitha komunat barabarë, por sipas tij jo vetëm në qytete por edhe në fshatra.

“Gjobat nuk do ti ndalim por esenca është si me e gjet një zgjidhje që të kuptojnë të gjithë që duhanin duhet me e ndalë për shkak se është një e mirë e përgjithshme”, tha ai.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Petrit Gashi shtoi se ndonëse po ua lënë fajin numrit të vogël të inspektorëve thotë se kjo komunë ka pasur vetëm një inspektore sanitare.

“Ajo kalon në AUV, ne mbesim fare pa inspektorë sanitarë, ndërsa inspektimi me rrotacion i bie që të vij njëherë në 3-4 ditë ose një herë në javë”, thotë Gashi.

Tetë Vjet Rrugëtim Kundër Duhanit