Ministri Peci mirëpret lajmin për aktakuzën për uzurpimin e pronës së Ministrisë së tij

Prokuroria e Pejës të mërkurën ka ngritur aktakuzë përmes të cilës po akuzon Mujo Kurtajn për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme të Institutit për Hulumtime Bujqësore të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

E ministri i Bujqësisë, Faton Peci, këtë zhvillim e quajti indikator se mekanizmat e drejtësisë po lëvizin në drejtim të duhur.

“Ngritja e aktakuzës për uzurpim të pronës në Stankaj është një tregues pozitiv se mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë po lëvizin në drejtimin e duhur” – deklaroi Peci për KALLXO.com.

Sipas tij, individë të fuqishëm kishin qëndruar mbi drejtësinë.

Ai shtoi se veprimet e Prokurorisë tregojnë që paprekshmëria ndaj abuzuesve dhe uzurpatorëve është çështje e të kaluarës.

“Ka qenë një e vërtetë e hidhur se dikur individë të fuqishëm kanë qëndruar mbi drejtësinë. Vendimi i sotëm i mekanizmave të drejtësisë është lajm i mirë që paprekshmëria ndaj abuzuesve e uzurpatorëve mund t’i takojë vetëm të kaluarës” – shtoi tutje ai.

Ministri Peci tha se kishte alarmuar institucionet për ndërtimet e paligjshme dhe uzurpimet e pronave të Ministrisë të cilën ai e udhëheq.

“Dikasteri me të cilin udhëheq vazhdimisht ka alarmuar institucionet kompetente mbi ndërtimet e paligjshme dhe uzurpimin e pronave të Ministrisë, respektivisht të IBK-së” – shtoi ministri.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në zonën e quajtur Joshanicë janë identifikuar 41 parcela që janë pronë e Institutit për Hulumtime Bujqësore nga të cilat 6 janë uzurpuar dhe janë ndërtuar 25 objekte. Një prej këtyre parcelave pretendohet se është uzurpuar nga i akuzuari Kurtaj.

Sipas Prokurorisë, prona e paluajtshme në një fshat të Pejës është uzurpuar që nga viti 2016 nga i akuzuari, i cili aty ka ndërtuar shtëpi.

Këto akuza Kurtaj i ka mohuar gjatë intervistimit në Prokurori, në gusht të këtij viti.

Gjatë marrjes në pyetje ai kishte deklaruar se shtëpia e ndërtuar në parcelën në fjalë është pronë e familjes së tij, të cilën e kishin blerë shumë dekada më parë nga Zhukë Haxhija, të cilit shteti jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore ia kishte konfiskuar pronat si armik i shtetit.

“Në parcelën në të cilën është ndërtuar shtëpia është pronë e tyre dhe se të njëjtën familja e tyre e kishin blerë para 60 – 70 vitesh nga familja e Zhukë Haxhisë dhe nga ajo kohë nuk është bartur pronësia në emër të familjes së tij, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shteti jugosllav i ka konfiskuar pronat e Zhukë Haxhisë si armik i shtetit, ndërsa këtë pronë e kanë shfrytëzuar vazhdimisht” – citohet i akuzuari në aktakuzë nga deklarata e dhënë në Prokurori.

I akuzuari Kurtaj kishte dhënë deklaratë edhe në Polici, me ç’rast kishte thënë se shtëpinë e ka ndërtuar babai i tij në vitin 2016-2017 dhe atë e kishte trashëguar nga i ati.

Veprimet e përshkruara në aktakuzë Prokuroria i ka kualifikuar si vepra penale – uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.