Ministri Peci thotë se Ministria e ktheu pronësinë në pronën në vlerë afro 4 milionë euro

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se Ministria e Bujqësisë ka arritur ta kthejë në pronësi të saj, një pronë në Prishtinë vlera e të cilës sipas Pecit, është afro 4 milionë euro.

Në një konferencë për media në pronën në fjalë, Peci tha se prona prej 1 hektar e 34 ari në vitin 2020 ishte bartur te një pronar që i përket komunitetit serb.

“Ky rast për të cilin po flas sot është një nga rastet më bizare që ka ndodhur karshi tentimit për tjetërsimin dhe abuzimin flagrant me pronat shtetërore” – tha Peci.

Ai ka thënë se fillimisht Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020 e kishte obliguar drejtorinë e Kadastrit pranë Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e një aktgjykimi të shtatorit 1996, përmes të cilit aktgjykim prona do duhej të i bartej qytetarit serb.

Peci ka thënë se Drejtoria e Kadastrit fillimisht e kishte refuzuar kërkesën për shkak të zbrastirës ligjore, por që më pas prona i është bartur pronarit serb.

“Në janar të 2021 e njëjta drejtori nxjerrë aktvendimimin me të cilin është ekzekutuar në regjistrat kadastral 11.12.2020, kurse në datën 21 qershor 2021 Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës bazuar në shkresën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të datës 15 maj 2021, ka nxjerrë aktvendimin me të cilin është plotësuar aktvendimi i nxjerrë nga Drejtoria e Kadastrit 19 janar 2021, me të cilën J. D. është bërë pronar i kësaj ngastre kadastrale në të cilën ndodhemi” – ka deklaruar ministri Peci.

Ai ka thënë se pas shumë angazhimeve dhe kërkesave në institucionet e drejtësisë, si dhe institucionet e lartcekura, prona i është kthyer Ministrisë së Bujqësisë para 6 ditëve.

Ministri Peci në fund i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë të gjitha mënyrat dhe procedurat e bartjes së pronës nga Ministria e Bujqësisë tek grupe apo individë, që sipas Pecit, janë me qindra hektarë tokë.