A po arrijnë të risocializohen dhe riintegrohen të kthyerit nga luftërat në Siri e Irak?

Kosova renditet mirë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, i cili u bë publik disa ditë më parë.

Edhe në këtë dokument të Departamentit të Shtetit është theksuar mungesa e fondeve dhe kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të luftuar këto fenomene me të cilat po përballemi tash e disa vjet.

Më shumë se 400 kosovarë kanë marrë pjesë në zonat e luftës në Siri e Irak. Disa prej tyre janë kthyer e disa të tjerë janë shpallur të vdekur nga familjarët pasi që kanë dëgjuar përmes kanaleve jozyrtare se të njëjtit kanë humbur jetën në zonat e konfliktit.

Në emisionin “Kallxo Përnime” , kryeredaktori i KALLXO.com dhe autori i dokumentarit për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin në Kosovë, Kreshnik Gashi, tha se institucionet kosovare nuk janë marrë aspak me familjarët e atyre që janë vrarë në zonat e konfliktit.

“Sistemi i ndërtuar në Kosovë ka pasur trajtim të pabarabartë ndaj kategorive të ndryshme të njerëzve që është dashtë me hy në procesin e risocializimit dhe të riintegrimit. E kemi kategorinë e parë të njerëzve që shteti dhe institucionet tona nuk janë marrë fare, janë familjet dhe njerëzit e familjarëve që janë vra në zonat e luftës dhe shteti ynë nuk i ka fut fare në listat e tyre. Fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë pa ndonjë përkujdesje dhe pa ndonjë trajtim të veçantë”, thotë Gashi.

Ai vazhdoi të tregojë se një kategori tjetër me të cilët nuk është marrë shteti i Kosovës janë edhe personat që janë kthyer nga Siria e Iraku para vitit 2019.

“E kemi edhe kategorinë e dytë të njerëzve që janë kthy vullnetarisht nga zonat e luftës para vitit 2019 në Kosovë të cilët kanë qenë të diskriminuar nga futja në programe të caktuara përfshirë programet e punësimit, programet e riintegrimit dhe risocializimit”, tregon tutje Gashi duke dhënë detaje se të dhënat në terren tregojnë se burrat e kthyer para vitit 2019 nuk janë pjesë e punësimeve apo vetë punësimeve në bazë të granteve që japin institucionet në Kosovë.

Gashi përmend faktin se kategoritë që kanë përfituar apo janë vendosur në sistemin e risocializimit dhe riintegrimit nga ana e institucioneve në Kosovë janë të kthyerit në vitet 2019 dhe këtë vit.

“Më të privilegjuarit janë ata që janë kthy në mënyrë të organizuar në vitin 2019 dhe vitin 2021 të cilët kanë përfituar nga programet dhe vazhdojnë të jenë pjesë e programeve qoftë me trajtime, trajnime, me psikologë apo shërbime të caktuara”, theksoi tutje Gashi.

Kryeredaktori i KALLXO.com theksoi edhe disa të dhëna për të cilat ka hulumtuar javët e fundit se në çfarë procese të riintegrimit dhe risocializimit kanë kaluar të burgosurit dhe të dënuarit për terrorizëm.

“Diku 63 për qind e personave të cilët janë liruar nga burgjet, fare nuk kanë kaluar në procesin e aftësimit profesional brenda burgjeve të Kosovës e cila na tregon që programi brenda burgjeve ka pasur mangësi të mëdha, prej mënyrës se qysh është dizajnu në fillim e deri te mënyra se qysh janë matur rezultatet përfundimtare”, vazhdoi Gashi.

Tutje Gashi tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës në disa përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se personat e burgosur për terrorizëm nuk kanë dashur që të jenë pjesë e proceseve të trajnimit që ofrohen brenda këtij shërbimi.

“Mbi 50 për qind e njerëzve që kanë qenë pjesë e proceseve gjyqësore janë prej zonave urbane ndërsa ShKK pjesën më të madhe të trajnimeve që e jep janë për bujqësi dhe për ndërtimtari që nuk janë veprimtari të përshtatshme për njerëzit që janë rritur në Prishtinë, Gjilan apo komuna urbane ku familjet e tyre nuk janë rritur duke u marrë me bujqësi apo ndërtimtari”, thekson Gashi.

Gashi tregon se situata aktuale në këto institucione nuk është e duhur për të garantuar procesin e riintegrimit dhe risocializimit për personat e rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tregon se sfidat në sistemin korrektues i kanë identifikuar edhe qendra në të cilën punon.

“Ky është fenomen dinamik dhe është vështirë me i parashiku trendet në të ardhmen, kërkohet një angazhim i vazhdueshëm me qëllim që të mbahet në kontroll situata dhe në situata të tilla është vështirë që të garantohet që suksesi do të jetë 100 për qind”, thotë Vrajolli.

Vrajolli shton se ka pasur vullnet politik, institucional dhe shoqëror për të pranuar personat e rikthyer nga zonat e konfliktit por ka institucione që nuk kanë pasur fare mbështetje.

“Problemi i asaj se çka i ofrohet të burgosurve në këtë kategori është ndoshta i ngjashëm me të burgosurit në përgjithësi. Dje e kemi publikuar një raport për shërbimin sprovues ku vërejtëm se ky shërbim është mjaft i pambështetur nga ana e institucioneve, në të kaluarën nuk ka qenë institucion që është trajtuar në mënyrën e duhur dhe kjo ka ndikuar që në shumë fusha të ketë edhe recidivizëm mbase edhe fenomeni që po e trajtojmë mundet me u ballafaqu me sfida të njëjta”, thotë Vrajolli tutje.

Këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Ferdinand Nikolla, njëherazi udhëheqës i strategjisë së re e cila ende është draft për terrorizëm dhe ekstremizëm tregon pikëpamjen e tij në qasjen e institucioneve karshi këtij fenomeni.

“Shërbimi Korrektues i ka programet e tyre për aftësimin e tyre (të burgosurve) për një jetë normale pastaj kur të dalin institucioni në fjalë ka një bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Punësim, me qendrat e aftësimit profesional dhe brenda kapaciteteve që shteti i Kosovës ka e bëjnë maksimumin e vet për t’i përgatitur këta njerëz për kthim në një normalitet të kushtëzuar sepse procesi i risocializimit afatgjatë, pra edhe fjala thotë që kemi të bëjmë me një proces vërtetë të gjatë për shkak se kemi të bëjmë me ndryshim të një mendësie të njerëzve”, thotë Nikolla.

Ai shton se programet e reja të aftësimit të të burgosurve në punë të ndryshme do të rishikohen edhe vitet e ardhshme.

“Në qendrat korrektuese ofrohen edhe kurse për profesione të ndryshme, nuk janë vetëm të natyrës bujqësore, trajnime më të avancuara ato janë çështje që duhet me u trajtu në të ardhmen për shkak se e gjithë programi organizohet brenda një kurrikule që është dizajnu brenda këtyre institucioneve dhe aplikohet në rastet të tilla”, vazhdon Nikolla.

Fadil Kajtazi, i cili ka qenë një nga pjesëmarrësit e parë në Mekanizmin Referues në Komunën e Gjilanit, tregon se të përfshirët në ekstremizëm dhe terrorizëm rrezikojnë të jenë potencial i sulmeve terroriste.

“Gjithsesi se rrezikojnë dhe kjo nuk pushon kurrë siç nuk ka pushuar asnjëherë edhe në qoftë se ideologjia në të cilën bazohet në ideologjinë islame është tash për tash shtytës i saj, nëse edhe kjo përfundon nuk do të thotë që nesër nuk është një ideologji tjetër, e majtë apo e djathtë që ka me promovu terrorizëm”, thotë Kajtazi.

Kosova ka rikthyer më shumë se 100 persona nga zonat e konfliktit në tre vitet e fundit.

Burrat, gratë e fëmijët e rikthyer, disa nga ta pa asnjërin prind, janë duke u përballur me procesin e riintegrimit duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteve të cilat po aplikohen nga institucione të ndryshme në Kosovë.

KALLXO.com në disa hulumtime dhe emisione të transmetuara vitet e fundit ka treguar mungesën e kapaciteteve në nivelin lokal por edhe atë të nivelit qendror për të riintegruar të kthyerit nga zonat e konfliktit.