18-vjeçarja nga Skenderaj botoi librin e saj të parë me poezi

“Alfabet ndjenjash”, është libri i parë i 18-vjeçares, Arjona Alija nga Skenderaj. Libri i studentes së degës së Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë është publikuar para disa javësh.

Siç edhe është titulluar, në libër janë radhitur poezitë, ku janë shfaqur ndjenjat në formë të vargjeve.

Për këtë libër, Arjona ka kohë që ka punuar dhe i është përkushtuar me pasion. Me vullnet të madh thotë se do të vazhdojë si një poete me një varg librash të botuar.

“Ky libër përmban çdo ndjenjë në cepat e brendësisë sime dhe po ashtu përmban edhe disa qaste të hatashme që rrëmbejnë pa pritshëm kur ndodhin, ka shumë autorë që me frymëzojnë sepse vetë vargjet e tyre ndikojnë si një filozofi me një shtrirje të gjerë”, thotë ajo.

18-vjeçarja më së shumti preferon t’i lexojë poezitë e shkrimtarit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare.

Kryeredaktore e librit të saj të parë ka qenë Fatijona Bajraj. Ndërsa në lektorim ka marrë pjesë Ferdane Sahiti dhe kopertina është realizuar nga Abdulkadir Demircan.

“Alfabet ndjenjash” është botuar në shtëpinë botuese “Frymëzimi”.

Autorja Melita Osmani është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.