Avdullah Hoti | Foto: Facebook

Hoti: Ligji për Pagat nuk i Ul Ato

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një konferencë për media është përpjekur të sqarojë situatën pas shqetësimeve të ngritura rreth Projektligjit për Pagat në sektorin publik, i cili është aprovuar në Qeveri në fund të dhjetorit 2016.

Ai tha se askujt në institucionet bazike si arsim, shëndetësi, drejtësi, Polici, etj., nuk do t’u ulen pagat por, përkundrazi, po shqyrtohet mundësia që ato t’u rriten.

“Pagat nuk do të ulen. Përkundrazi. Në veçanti në arsim, shëndetësi, Polici, Doganë, Tatime… Ne po përgatitemi për një rritje të mundshme të pagave në periudhën e ardhshme”, u shpreh ministri.

Rreth mundësisë së miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij Ligji, para disa ditëve kishin reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), bashkë me Sindikatën e Policisë, të cilat kishin paralajmëruar greva të përgjithshme në rast se ai miratohet në Kuvendin  e Kosovës.

http://kallxo.com/arsimtaret-ne-greve-nese-nuk-terhiqet-projektligji-per-pagat/

Por, ministri Hoti tha se pasi që të qartësojmë dhe t’i sigurojmë të gjithë ata që kanë përfitime nga buxheti i shtetit se pagat nuk  zvogëlohen, atëherë Ligji do të procedohet në Kuvend.

Ai gjithashtu shtoi se atë që po e bën ky Projektligj është harmonizimi brenda sektorit sa i përket pagave, pasi që duhet të kemi pagë të njëjtë për punë të njëjtë dhe me të përcaktohet struktura e tyre.

“Ky Ligj nuk e përcakton pagën, i përcakton hierarkitë e pagave, i përcakton koeficientet dhe mandej me vendimet e Qeverisë përcaktohet vlera e koeficientit për secilën kategori dhe nxirret paga përfundimtare”, tha Avdullah Hoti.

Buxheti i shtetit për pagat për vitin 2017 është 572 milionë euro me të cilat u paguhet pagë më shumë se 80 mijë personave në sektorin publik.

http://kallxo.com/bajrami-ngritja-e-pagave-arrihet-ngritjen-e-cilesise-ne-arsim/

Redaktoi: Naser Sertolli