Hashim Thaçi: Protestat dhe bllokimi i rrugëve aspak nuk na ndihmojnë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestave të banorëve të Drenicës, të cilët kanë bllokuar rrugët për t’ia pamundësuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq vizitën në fshatin Banjë të Skenderajt.

Thaçi tha se bllokimi i rrugëve dhe protestat nuk i ndihmojnë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Megjithatë presidenti thotë se i mirëkupton reagimet e banorëve të Drenicës, pasi sipas tij plagët e luftës i kanë të freskëta.

Thaçi këto deklarime i bëri përmes Facebook-ut, statusin e të cilit e gjeni të plotë më poshtë:

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë itinerarin e saktë.

Por, për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e vizitës së tij në fshatin Banje.

Si President i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revolten e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.

Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë.

Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite.

Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor.

Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit”.