Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla
Haradinaj Ofron Ndihmë Pa Asnjë Pengesë për Rastin Dehari
Kryeministri Haradinaj ka folur në seancën e sotme kur po zhvillohet interpelanca e tij mbi vdekjen e Astrit Deharit.
Haradinaj ka ofruar bashkëpunimin e qeverisë për zgjidhjen e rastit së vdekjes së Astrit Deharit.
“Për bindjen time, rekomandimet e Kuvendin, që e obligojnë qeverinë për me zbardhë çdo aspekt të kësaj ngjarje të dhimbshme, na keni mbrapa dhe se vendosim asnjë pengesë, si për shpenzime si përcaktimin e familjes për cilin institucion, si dhënien e mundësive ligjore që kjo me ndodhë, e keni përkrahjen time”, tha kryeministri Haradinaj.
Në fjalën e tij, ai ka treguar se e njeh familjen Dehari dhe se ka qenë koleg më prindërit e Astritit.
“Unë dikur kam qenë koleg me prindërit e Astritit, e kam ditë kush janë kjo familje dhe në asnjë variant nuk kisha pasë dëshirë me i hy në hak kësaj familje dhe vetë Astritit të ndjerë”, tha në mes tjerash Haradinaj.
Haradinaj tha se është e parakohshme t’i kërkohet përgjegjësi për këtë rast ish-ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.
“Unë atëherë kam qenë opozitë dhe kam mendu që është e parakohshme mi kërku përgjegjësi ministres Dhurata Hoxha”, tha tutje Haradinaj.
Ai e ka pranuar se në sistemin korrektues ka defekte.
“Në sistemin korrektues kemi disa defekte, janë disa probleme që janë shfaqë dhe është me rëndësi t’i vëjmë mendjen”, ka thënë në fjalën e tij Haradinaj.
Haradinaj tha se e ka kritikuar atëherë mënyrën qysh është menaxhuar ky rast në publik.
“Edhe unë kam kritikë për mënyrën qysh është menaxhu në deklarimet e publike, mendoj që kanë qenë joprofesionale, një nxitim, njani dil atje me deklarata, njani këtu, ka qenë njëfarë paqartësie, prapëseprapë çka është me rëndësi, ta nxjerrim të vërtetën”, tha kryeministri.