Gjykata Supreme: Vendimet gjyqësore dëmtuan buxhetin për rreth 200 mijë euro

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte transmetoi hulumtimin për shkeljet që Gjykata Supreme e Kosovës ka gjetur në vendimet e lëndëve të korrupsionit në gjykatat themelore dhe atë të  Apelit.

Në mesin e këtyre 3 rasteve që ka transmetuar Drejtësia në Kosovë rasti i fundit i transmetuar në emision ishte ai i 3 zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe një biznesmeni nga Gjilani.

Prokuroria e Gjilanit kishte ngritur aktakuzë për tre zyrtarët për keqpërdorim të detyrës dhe ndaj një biznesmeni nga Gjilani për përfitimin e një granti prej 200 mijë eurosh.

Katër të akuzuar në aktakuzën e prokurorit Arben Ismajli ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe ajo e Apelit, mirëpo me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, Gjykata Supreme ka konstatuar se të dy gjykatat kanë bërë shkelje në vendimet e tyre.

“Prokuroria pas marrjes se informacioneve ka autorizuar Policinë e Kosovës dhe ka ndërmarrë veprimet hetimore, pasi kemi siguruar dyshimin e arsyeshëm prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ne bazë të atyre provave dhe gjatë hetimeve ka siguruar edhe prova shtesë të cilat ka konsideruar së të pandehurit kanë kryer vepër penale”, tha prokurori Ismajli i cili gjithashtu ka shtuar se gjykata ka pasur prova të mjaftueshme.

“Gjykata e shkallës së parë ka menduar se nuk ka pasë vepër penale e gjithashtu edhe Gjykata e Apelit mirëpo ne realitet është e kundërta dhe këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Supreme”, theksoi Ismajli.

“Drejtësia në Kosovë” kishte kontaktuar edhe me katër avokatët mbrojtës së këtyre ish të akuzuar mirëpo vetëm Artan Çerkini kishte  pranuar të flasë duke e thënë së klienti i tij dhe 3 të tjerët kanë qenë të pafajshëm.

Emisionin e plotë ‘Drejtësia në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: